Kujt i drejtohet Rama? Kryeministri: Mes nesh ka nga ata që mendojnë se Belinda fitonte prej pushtetit, por ajo do vijojë të drejtojë Fierin

Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar se Belinda Balluku do të vijojë të jetë drejtuese e qarkut të Fierit edhe në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm.

Në fjalën e tij para Grupit Parlamentar të PS-së, ai deklaroi se brenda socialistëve ka edhe nga ata që mendojnë se fitoret e Ballukut kanë ardhur nga pushteti që ajo kishte, teksa nuk përmendi emra se cilët ishin këta persona.

“E di që edhe këtu mes nesh ka disa që mendojnë se fitoret shembullore e Belindës burojnë nga fuqia e pushtetit që ajo kishte. Kjo mbetet për tu parë në zgjedhjet e ardhshme lokale në Fier. Ajo do të vijojë të drejtojë qarkun. Pak kush nga ne i mban si Belinda kontaktet me territorin”, tha Rama.

Gjithashtu kreu i socialistëve nuk harroi të sulmojë edhe opozitën, për të cilën tha se kërkon arrestimin e Ballukut pa gjyq, ashtu si gjyshin e vet.

Sipas tij, Belinda Balluku ka të drejtën e prezumimit të pafajësisë, si parakusht absolut i çdo hetimi dhe procesi dhe si vijë e prerë ndarëse mes drejtësisë dhe arbitraritetit.

“Duan Ballukun në burg edhe pa u hapur dera e gjyqit, dua t’u bëj një pyetje, ku dallojmë ne shqiptarët e sotëm pavarësisht bindjeve e simpatie tona njerëzore e politike nga ata që dje e deshën me doemos të pushkatuar gjyshin e saj. Pasi ua bëri fillimisht gjyqin në media dhe I dënoi në emër të popullit pa u dhënë të drejtën të mbrohen në sytë e popullit. Kjo nuk është një pyetje që e bëj sot për të mbrojtur Ballukun, sepse nuk jam avokati I askujt përballë një akuze të ngritur nga prokuroria, por për të mbrojtur të vërtetën e madhe të drejtësisë sepse jam kryeministër i këtij vendi. E vërteta e madhe quhet prezumimi i pafajësisë, si parakusht absolut i çdo hetimi dhe procesi dhe si vijë e prerë ndarëse mes drejtësisë dhe arbitraritetit”, tha ai.