Jonathan Tobin “Newsweek”

Ndalimi i garimit të Trump nuk e mbron demokracinë amerikane por e përmbys atë

Demokratët po e brohorasin vendimin e Gjykatës së Lartë të shtetit Kolorados, për të penguar garimin e ish-presidentit Donald Trump në zgjedhjet paraprake brenda Partisë Republikane për nomimin presidencial. Me një votim 4 pro dhe 3 kundër, gjyqtarët e Kolorados ndaluan pjesëmarrjen e Trump në këtë garë, me arsyetimin se ai nuk kualifikohet për shkak se është përfshirë në një “kryengritje”.
Hartuesit e Seksionit nr.3 të Amendamentit të 14-të iu referuan Luftës Civile kur hartuan dispozitën tek e cila u mbështet Gjykata e Lartë e Kolorados për të ndërmarrë hapin e saj të paprecedentë. Dhe në fakt shumë demokratë besojnë vërtet tek trazirat e 6 janarit, dhe përpjekjet e ndryshme të republikanëve për sfidimin në gjykatë të rezultateve të zgjedhjeve të 2020-ës, ishte për ta një rebelim i paligjshëm i krahasueshëm me Luftën Civile.
Por shumë më tepër demokratë, mendojnë se një administratë e dytë Trump do të shënonte fundin e demokracisë, ndaj ata janë zotuar të ndalojnë me çdo mjet të nevojshëm garimin e tij në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Ideja që një gjykatë e Kolorados mund ta quajë cilindo një “kryengritës” pa një proces të rregullt ligjor, apo që nuk është dënuar ende për një krim të tillë, diçka që e përmendi edhe pala kundërshtare, është një absurditet ligjor. Dhe pikërisht këtu qëndron ironia: Të gjitha argumentet që i kemi dëgjuar nga demokratët dhe avokatët e tyre në mediat e mëdha liberale për mbrojtjen e kombit nga autoritarizmi Trumpian, janë një projeksion i pastër i profecisë së tyre.
Heqja e emrit të Trump nga fleta e votimit, është në vetvete një përpjekje jo vetëm për të penguar demokracinë, por për të krijuar në thelb një model autoritar për zgjedhjet, ku pushtetarët vendosin se kush mund të kandidojë kundër tyre, pavarësisht vullnetit të popullit.
Kini parasysh faktin që Donald Trump nuk u padit nga asnjë prej prokurorëve demokratë që synuan ta burgosnin për nxitjen e trazirave në Capitol Hill. Sepse pavarësisht një lloj retorike të papërgjegjshme, ai nuk kishte përmbushur kriteret ligjore për t’u dënuar për rebelim.
Klauzola e kryengritjes në Amendamentin 14, e përmendur atë ditë nuk ishte për të protestuar për rezultatet e një procesi zgjedhor që pati një rezultat të ngushtë. Por për të parandaluar ata që kishin marrë pjesë në një rebelim të armatosur kundër qeverisë së Shteteve të Bashkuara, gjë që Trump nuk e bëri, edhe nëse pranohet imagjinata partiake e demokratëve për ta krahasuar një protestë që u kthye në një trazirë në 6 janar 2021, me sulmin e mbështetësve të Konfederatës ndaj Fort Sumter.
E njëjta gjë vlen edhe për teorinë e konspiracionit, të nxitur nga komisioni hetimor i ngritur nga demokratët në Kongres mbi ngjarjet e 6 janarit 2021 në Capitol Hill, ku përpjekjet e ligjshme për të kundërshtuar rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, përfshirë mashtrimet që janë përdorur nga demokratët në të kaluarën, u cilësuan si pjesë e një kryengritjeje të madhe.
Por që të dyja këto akuza janë të gabuara. Trump mund të ketë pasur një gjykim të gabuar në muajt pas zgjedhjeve të nëntorit 2020. Por po ashtu është e vërtetë se për shkak të pandemisë se Covid-19 dhe dëshirës së demokratëve për të mobilizuar mbështetësit e tyre, u lanë pas dore parimet normale në lidhje me integritetin e votuesve.
Përpjekjet e demokratëve dhe mbështetësve të tyre oligarkë të Big Tech (kompanive të mëdha të teknologjisë) për të censuruar lajmet rreth skandaleve të korrupsionit në familjen Biden, u dhanë republikanëve arsye për ta konsideruar si të padrejtë rezultatin, edhe nëse jo teknikisht të manipuluar. Pavarësisht nëse e doni apo urreni Trumpin, ideja që s’kemi nevojë ta dënojmë për një krim, përpara se të marrim masa për ta penguar atë të kandidojë, është një kontradiktë e plotë e traditës ligjore perëndimore. Arsyeja e vetme pse po tentohet kjo skemë, është se demokratët nuk i zënë besë popullit amerikan, dhe nuk besojnë se Biden do të fitojë sërish ndaj Trump.
Të tundësh “këmishën e përgjakur” të 6 janarit, është një argument për të votuar kundër Trump ditën e zgjedhjeve, por nuk është një justifikim i ligjshëm për të përmbysur demokracinë amerikane. Fakti që gjykatat po përdorin një teori të re ligjore për të skualifikuar kandidatin kryesor të njërës prej dy partive tona kryesore, është një përpjekje flagrante për ta anashkaluar procesin demokratik.
Kur kjo gjë ndodh në vende si Rusia apo Irani, ku Vladimir Putin dhe Ajatollahët islamikë kanë penguar të garojnë kandidatët e opozitës nga të cilët kishin frikë, ne e dimë si ta quajmë atë;Tirani. Demokratët në SHBA, mendojnë se mund të tolerohen për taktikat e tyre antidemokratike, për shkak të bindjes se Trump mund të bëhet nesër si Adolf Hitleri dikur.
Por ata ende nuk e kanë kuptuar se gjysmës së amerikanëve i pëlqejnë deklaratat hiperbolike të Trump për çështje të ndryshme, pikërisht sepse ato zemërojnë shtresën llafazane liberale. Po ashtu, ata bëjnë sikur i harrojnë përpjekjet e tyre për ta përmbysur presidencën e Trump përmes mashtrimit mbi një pakt të këtij të fundit me Moskës për të ardhur një pushtet.
Mbi të gjitha, ata gabojnë rëndë kur e shohin si autoritarizëm qasjen populiste të Trump ndaj shumë çështjeve.
Përbetimi i tij për të ndryshuar sistemin aktual, në mënyrë që të parandalojë një burokraci federale të dominuar nga liberalët të sabotojë përpjekjet e tij për të qeverisur, është në thelb demokratik dhe jo tiranik.
Siç e kemi parë me paditë e ndryshme mbi akuza të rreme që kanë bërë demokratët ndaj Trumpit, përpjekjet e tyre për ta penguar atë të kandidojë, vetëm sa po bindin akoma më shumë amerikanë se ai duhet të rizgjidhet president, qoftë edhe vetëm për t’iu treguar elitave liberale se ata nuk mund të tolerojnë heqjen e të drejtës së elektoratit për të zgjedhur presidentin e tyre.
Ata që shqetësohen realisht për mbrojtjen e demokracisë, mundet të shpresojnë vetëm që Gjykata e Lartë e SHBA-së do ta rrëzojë këtë përpjekje të turpshme për të manipuluar zgjedhjet e vitit 2024, dhe që të paktën një nga tre gjyqtarë liberalë të atij organi do t’i bashkohet konservatorëve.
Mësimi që duhet të nxjerrim nga kjo situatë, është shumë i qartë:Sa më shumë që demokratët përpiqen të na bindin se populli amerikan nuk është mjaftueshëm i zgjuar për të bërë zgjedhjen e duhur nëntorin e ardhshëm, aq më e sigurt do të jetë humbja e tyre.

Te ngjashme