EMRAT/ Kush janë 6 shqiptarët që pritet të ekstradohen sot nga Dubai

Gjashtë shtetas shqiptarë të arrestuar në Dubai pritet të ekstradohen sot drejt Shqipërisë, në kuadër të bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe atyre të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Të ekstraduarit ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar për përfshirje në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, pastrimit të parave dhe mashtrimit kompjuterik, të kryera në kuadër të grupeve të strukturuara kriminale.

Në listën e personave që do të sillen në Shqipëri janë Kristo Qirici, alias Jetmir Hoxha alias Jetmir Qirici, 44 vjeç, Shkëlzen Kraja, 44 vjeç, Aleks Pepaj alias Shkëlqim Pepaj, 38 vjeç dhe Devit Patrut alias Elidon Skëndaj alias Devid Boraj alias Fatmir Pepaj, 39 vjeç. Ata akuzohen për veprimtari në fushën e narkotikëve dhe/ose pastrim të produkteve të veprës penale, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Po ashtu, pritet të ekstradohet edhe Ilir Lazri alias Ilir Sula, 30 vjeç, i akuzuar për pastrim të produkteve të veprimtarive kriminale, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Ndërkohë, Merxhan Celiku, 34 vjeç, akuzohet për mashtrim kompjuterik të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Njoftimi i Policisë:

Pritet të ekstradohen sot, në Shqipëri, 6 shtetasit e kapur në Dubai, pjesëtarë të grupeve kriminale. 6 shtetasit ishin në kërkim ndërkombëtar për veprimtari kriminale në fushat e narkotikëve, krimeve kompjuterike dhe/ose pastrimit të parave.

Në vijim të bashkëpunimit ndërmjet Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe homologëve në Emiratet e Bashkuara Arabe, do të ekstradohen sot, në Shqipëri, shtetasit:

-K. Q. alias J. H. alias J. Q., 44 vjeç; Sh. K., 44 vjeç; A. P. alias Sh. P., 38 vjeç dhe D. P. alias E. S. alias D. B. alias F. P., 39 vjeç, të gjithë të akuzuar për veprimtari në fushën e narkotikëve dhe/ose pastrim të produkteve të veprimtarive kriminale/veprës penale, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal; -I. L. alias I. S., 30 vjeç, i akuzuar për pastrim të produkteve të veprimtarive kriminale/veprës penale, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal; -M. C., 34 vjeç, i akuzuar për mashtrim kompjuterik, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal