GJKKO ka lënë më burg zyrtarët e policisë, të cilët bashkëpunonin me eksponentë të krimit lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës.
Gjykata e Posaçme konfirmoi masat e sigurisë “arrest në burg” për shefin e krimeve në Komisariatin e Himarës, Shkëlzen Ruska, shefin e Krimeve në Komisariatin e Lushnjës, Ervis Alisinanaj dhe ish-efektivin e Forcave Operacionale, Erdit Hazizaj.
Ata akuzohen për kultivim kanabisi, grup i strukturuar kriminal dhe shpërdorim detyre.
Arrestimi i tyre me urdhër të SPAK ka ardhur pasi ata akuzohen se bashkëpunonin me nje grup kriminal, që drejtohej nga vëllai i Edmond Papës, i ekzekutuar 3 vite më parë në Tiranë. Jetimet nisën bazuar në komunikimet e zbardhura në aplikacionin Sky Ecc.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme grupi kriminal gjatë viteve 2019-2021, në Sarandë, merrej me kultivimin dhe trafikimin e bimëve dhe lëndëve narkotike ndërsa janë ndihmuar me zyrtarët e policisë.
Grupi kriminal i Kristo Qiricit sipas organit të akuzës që e ka të provuar edhe me dokumente, por edhe nga komunikimet në Sky ECC, kryente trafikimin e drogës drejt Greqisë.
“Nga hetimi është arritur të dokumentohet rasti i trafikimit për në Greqi, më 07.03.2020, përmes pikës së kalimit kufitar, “Qafë Botë”, të një sasie prej 1144.9 kg kanabis sativa të papërpunuar, 4.068 kg kanabis të përpunuar (çokollatë) dhe 0.916 kg kanabis i përpunuar (vaj), me vlerë rreth 1.700.000 euro, sasi kjo që u është sekuestruar dy shtetasve italianë të dënuar në Greqi”, thuhet në njoftimin e SPAK.