Edward Lucas

Ankthi i Berlinit po e rrezikon gjithë Perëndimin

E babëzitur, mendjemadhe, e papërgjegjshme dhe e pabesueshme:Gjermania po pëson një sulm të merituar nga aleatët e saj. Ata kanë pasur për shumë vite shumë arsye për ta kryqëzuar. Epoka e favorshme strategjike për Gjermaninë nisi me “Gorbymania” në vitet 1980, dhe zgjati deri në vitin 2022.

Dekadat e shitjes së ndikimit që nga ajo kohë, i kanë dhënë mundësi Rusisë të arrijë një depërtim shumë të thellë në shoqërinë dhe ekonominë gjermane. Sa për të renditur disa nga problemet:Jan Marsalek, ish-shefi operativ i gjigantit financiar sot në kolaps, Wirecard, dikur një nga kompanitë më të mëdha të vendit, sapo është demaskuar si spiun i shërbimit sekret ushtarak rus, GRU.

Wirecard kishte qasje rek një sasi të madhe të dhënash financiare private, madje tek lista e pagesave për të parë faqe të ndryshme pornografike në internet. Kjo e fundit është ndoshta më e dobishmja për spiunët e interesuar për ushtrimin e shantazheve.

Po ashtu Wirecard, gëzonte një mbrojtje politike të jashtëzakonshme, madje edhe në kohën kur ishte tashmë i dukshëm modeli i saj mashtrues në biznes. Dhe kjo mbrojtje vinte pikërisht nga Ministri i atëhershëm gjerman i Financave, Olaf Sholc, diçka për të cilën ai nuk ka kërkuar asnjëherë falje.

Strukturat e mbrojtjes, shërbimeve sekrete dhe të sigurisë që duhet ta mbrojnë Gjermaninë nga këto sulme, janë shpeshherë vektorë për këto të fundit. Skandali i fundit i spiunazhit, përfshin një zyrtar të lartë në shërbimin e inteligjencës së jashtme gjermane, i identifikuar sipas rregullave të medias gjermane vetëm si Karsten L, dhe një bashkëpunëtor të dyshuar, Artur E.

Që të dy këta dolën në gjyq në dhjetor të vitit të kaluar me akuzën e spiunimit për llogari të Rusisë. Ata u arrestuan jo falë kujdesit të autoriteteve gjermane, por për shkak të një informacioni të dhënë nga FBI-ja amerikane. Spiunët, banditë dhe mashtruesit rusë, kanë bërë shumë zullume nën hundën e policisë gjermane dhe shërbimeve të kundërzbulimit, të dëmtuar dhe kufizuara jo pak në punën e tyre nga burokracia.

Xhon Sifer, dikur një drejtues i lartë në degën e CIA-s në Rusi, i përshkruan ata si “arrogantë, të paaftë dhe burokratë të padobishëm”. Duke qenë dikur një korrespondent i huaj në Berlinin e ndarë më dysh gjatë Luftës së Ftohtë, më kujtohet një spiun britanik që më tha në një rast:“Nëse dëshiron që Kremlini të marrë diçka seriozisht, atëherë jepja gjermanëve dhe thuaju është sekret. Atëherë informacioni do të jetë në çdo tavolinë të Byrosë Politike të nesërmen në mëngjes.”

Kjo shaka e vjetër, përmban ende një të vërtetë të madhe. Pakujdesia e shton tradhtinë, pavarësisht nëse kjo kryhet nga oficerët e Luftwaffe, që diskutojnë mbi detajet e dhurimit të raketave “Taurus” tek Ukraina, apo kancelari Sholc që flet mbi praninë sekrete në Kiev të personelit ushtarak francez dhe britanik.

Ukrainasit dhe miqtë e tyre, janë me të drejtë të zemëruar për të gjithë këtë sjellje. Zeitenwende (pika e kthesës historike), që shpalli udhëheqësi gjerman pas fillimi të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, ka rezultuar tejet zhgënjyese. Ushtria gjermane mbetet e pa pajisur, e keq-udhëhequr dhe e nën-financuar.

Qasja e vetë-kënaqur e Gjermanisë, dhe neveria e saj ndaj të menduarit seriozisht mbi sigurinë, buron kryesisht nga 2 disfatat e saj katastrofike të shekullit të kaluar, por edhe nga roli i saj si një fushëbeteje e mundshme bërthamore gjatë Luftës së Ftohtë.

Kjo nxiti anti-amerikanizmin por edhe anti-militarizmin. “Edhe paqja më e keqe, është më e mirë se lufta më e mirë”- tha një ekspert gjerman, kur Ukraina nisi luftën e saj për mbijetesë. Ideja se për lirinë mund t’ia vlejë edhe të vdesësh, nuk vlerësohet aspak në Berlin.

Nga ana tjetër, lakmia ka shumë rëndësi. Me gjithë zhgënjimin që ndjejnë tani aleatët me qeverinë gjermane, ata duhet të kujtojnë se dikur ishte edhe më keq. Epoka e Gerhard Shrëderit, kur Gjermania ishte aleati evropian më i besueshëm i Putinit, duket sot si shumë e largët.

Gjermania i mbështet sanksionet e vendosura ndaj Rusisë. Ajo është donatorja e dytë më e madh për Ukrainën, me një shumë të konsiderueshme prej 27.8 miliardë eurosh. Ajo ka luajtur një rol të madh në ndihmën humanitare, nga refugjatët tek kujdesi mjekësor për ushtarët e plagosur.

Ministrja e Jashtme gjermane Analena Baerbok, është në lartësinë e detyrës që mban. (Sa keq që ajo nuk drejton realisht politikën e jashtme të vendit të saj). Gjermania i ngatërroi pritshmëritë për t’i dhënë fund varësisë së saj nga gazi natyror rus.

Aleatët perëndimorë, mund të tolerojnë deri diku vendimmarrjen toksike në vende të vogla anëtare të aleancës si Austria, Hungaria dhe Sllovakia. Por Gjermania është shumë e madhe për ta injoruar. Ajo ka nevojë për një politikë të re sigurie. Por edhe ne të tjerët kemi nevojë për një politikë të re ndaj Gjermanisë.

E plote: https://cepa.org/article/germany-the-weakest-link/

Te ngjashme