Ka folur për mediat nëna e 43 vjeçarit, Fabjol Hysi, i cili pak ditë më parë u dhunua barbarisht nga dy rinjtë, Irdi Nasufi 20 vjeç dhe Enea Korreshi 23-vjeç. Nëna e 43-vjeçarit me aftësi të kufizuara ka treguar se i biri është ende në reanimacion dhe i intubuar në spitalin e Traumës në Tiranë.
Ajo ka rrëfyer në emisionin “Me zemër të hapur”, të moderatores Evis Ahmeti në News 24, se i biri shkonte në xhami këto kohë pasi agjëronte dhe atje konsumonte dhe iftarin. Ajo thotë se ende nuk e di arsyen se përse dy të rinjtë e dhunuar djalin e saj.
“Djali ishte në xhami, shkonte çdo ditë hante iftarin. Ora ka qenë 8:20. Ata rrinë atje, ai kishte dalë vetëm atë natë. Nuk e di a i njeh, ata janë adoleshentë. Asnjërin nuk njoh, vetëm atë me mbiemër Korreshi njoh, atë tjetrin jo. Nuk jetojmë në një lagje, kemi 18 vite që kemi ikur. Ata nuk kanë qenë pjesëmarrës në xhami. Fabjoli mbante ramazan, konsumonte iftarin aty.
Xhamia është 100 metër larg kryqëzimit, ai ishte vëtëm. Problemi i tij është që nuk dëgjon dhe nuk flet, ka bërë shkollën në medrese, 8-vjeçare. Nuk ka pasur shkollë tjetër te në. Është i aftë të lëviz, nuk ka probleme të tilla.
Nuk e di çfarë ka ndodhur, asnjë konflikt nuk ka pasur. Do ta kenë ngacmuar dhe bullizuar ata. Ai nuk është përgjigjur, se po të ishte përgjigjur do ishin vrarë ata, do ishin me gjak. Policia të pyes në shkolla se si janë ata fëmijë. Si përgjigjen, si janë me shokët. Njëri është në vit të 2 në gjimnaz, atë tjetrin nuk e di. Policia nuk na ka thënë asgjë, do shkoj të bëj kallëzim, sepse nuk di asgjë.
Fabjoli është në reanimacion, i intubuar. Mjekja që e operoi më tha që do heqin tubin, do i zvogëlojnë ilaçet të shohin si do reagojë ai. Sot do fillojnë dhe të shohim si do jetë sot dhe nesër. Nuk ka pasur probleme me fëmijët, nuk është bullizuar. Ka qenë operuar në Greqi që 15-vjeç, ka vuajtur. Vetëm në kokë të mos e kishin goditur. Ka shokë, ka shkuar dhe te Radio Lushnja, shokët e tij i ka ndihmuar, nuk ka qenë i bullizuar.
Familja e 17-vjeçari nuk u përmend, të paktën të thoshte të na falësh që ndodhi kjo. Se dhe unë nënë jam, i di problemet sociale për fëmijët. Ai minoreni ka dalë nga burgu. Unë për atë familjen e adoleshentit do thoja të më kishte ardhur, se më njeh. Nënë e 17-vjeçari është edhe mësuese. Familjen e tjetrit nuk e njoh”- ka thënë e ëma, Fatbardha Hysi.