Për të pathânat e ngatërresës Rama-Kurti
Formalisht, Rama ka të drejtë thuejse në 95 përqind të gjânave në fesatin që e ka shkaktue kryeministri i tipit “Boko Haram” në Kosovë.
Nuk duhet me pasë asfarë hamendje se te kush dhe te cili anon arsyeja e vizioni.
Sipas nji sharti të pashkruem, siç e thoshte dikur Søren Kierkegaardi, e vërteta âsht gjithnji me atë pakicë të cilës askush nuk i duartroket. Edhe kur e vërteta pronësohet prej nji shumice, ajo prapëseprapë kërkon nji pakicë të re që me e ruejtë qashtërsinë e vet.
Âsht paksa e padenjë që njí ngatërresë politike si kjo me qenë si sebep për me rravgue në kërkim të nji të vërtete. Megjithatë, kush ka të drejtë në këtë zavall?
Afërmendsh, e drejta âsht me atë që e kupton shpirtin e kohës, ekzigjencat e Perëndimit dhe politikën e afrimitetit. Deshëm a s’deshëm, ky âsht Rama.
Afërmendsh, që e drejta ikën prej atij që sheh anmiq aty ku s’ka, atij që pëlqen me jetue me psikozën e shtetrrethimit dhe atij që, për fat të keq, e ka bind nji shumicë shtetasish të vet se territori i Kosovës âsht në rrezik permanent prej kafshimeve të reja (sic!) Ky âsht, zonja e zotni, Albini.
Pra, Rama ka të drejtë formalisht në shumicën e gjânave. Megjithatë mu këtu âsht hapësina për nji “por” të madhe. Rreshtimi i drejtë nuk e absolvon kurrën e kurrës anën tjetër, thuejse të harrueme, se pikënisht PS-ja, prej 2013-s, ka ndikue jo pak që me e afirmue VV-në e kjo e fundit me i pasë këto proporcione të frikshme që hëpërhë i ka.
Prej 2005-s e deri më sot, ekzistenca e VV-së e ka përjetue edhe Tiranën demokrate, edhe atë socialiste.
Deri me 2013, Berisha thjesht nuk ka pasë kurrfarë interesimi për VV-në, e cila asokohere ishte veçse nji bandë lleftistash të rrugës që sulmonte partizançe praninë amerikane dhe evropiane në Kosovë, ata “neokolonizatorë” (siç quheshin në vokabularin lleftist të traktateve të VV-së) që çuditërisht i prenë kërthizën mëvetësisë dhe ishin dorëzanë të projektit të shtetndërtimit.
Më 2014 e këndej, PS-ja, tu e shfrytëzue ShISh-in dhe levat e tij, e vnoi nën sqetull VV-në nëpërmjet agjentëve të vet që sot janë pakashumë përcaktues të politikës së brendshme të partisë.
Së këndejmi, tre agjenta të ShISh-it për nga signifikanca e tyne brenda VV-së janë barabar me atë sa kanë qenë Miladini e Dushani dikur në PKSh.
Derisa krejt kastigimi mediatik në Kosovë (i pamerituem kisha me thanë) bjen mbi Elvis Hoxhën e shkretë, tre agjentët zyrtarë të ShISh-it në VV zakonisht as nuk janë target e as nuk flitet për ta.
Ndërkaq, Rama vetë i ka servue VV-së plot benefite nga takëmi i të mirave:
Në vitin 2016, VV-ja nuk e ka kursye veten as prej akteve puro terroriste që kanë përfshi vendosje mjetesh shpërthyese tek “kundërshtarët” e saj e deri te sulmi famëkeq me predha kundër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në Prishtinë.
Ishte koha kur edhe njí aktivist të vetëvramë VV-ja e shndrroi në aktivist të vramë, në nji “dëshmor” të udhakimit për pushtet, i cili, ideologjikisht, preferohet i tillë që ka aso gatishmënie fanatike me qenë therror për kauza.
Ishte koha kur edhe vetë ambasadorët perëndimorë në Prishtinë ndiheshin në siklet nga kjo valë e paprecedentë urrejtje që inxhinierohej prej Albinit e marshallëve të tij nga bota e ilegales, rustikes dhe dhunës.
Por, Rama asokohe i dha të drejtë shtetësie kësaj force terroriste: për arsye që kurrë nuk u shpjeguen, me procedura të përshpejtueme, shteti shqiptar u pati dhurue pasaporta drejtuesve të naltë të VV-së. Jo vetëm kaq, por krejt mediat e Ramës e protagonistizonin VV-në dhe narrativën e saj për nji botë ngushtësisht të vogël e binare: ne (kampin i të mirëve) dhe ata (kampi i të ligjëve dhe atyne që janë kundër nesh).
D.m.th Rama âsht njifarë doktor Viktor Frankeshtajni që ka mundësue me ardhë në jetë ky monstrum e abominacion që tash po kqyrë me i kollofitë krijuesit.
Edhe njiherë, pra, ShiSh-i zyrtarisht i ka 3 agjentë në hierarkinë e naltë të VV-së.
E përsëris, ShISh-i zyrtarisht i ka 3 agjentë në hierarkinë e naltë të VV-së.
Prandaj nga kjo anëpamje, ngatërresa midis Ramës dhe Albinit duket shumë ma pak çâshtje parimore për aq sa i pari âsht përgjegjës për rritjen e të dytit.
Me nji poezi të paharrueme për Odiseun—nji soj krejt tjetër prej atij të Homerit e të Dantes—viktoriani Alfred Tennyson vnon në gojën e heroit të plakun të Itakës edhe këto fjalë: “I am a part of all that I have met” (Jam pjesë e të gjithë atyne që i njoha).
Kjo rimon bukur edhe me atë se si José Ortega y Gasset e rrethshkruante njeriun: “Unë jam unë dhe rrethanshmënia ime”.
Kjo do të thotë se Albini, paradokalisht, ka në vetvete nji llokmë të madhe prej Rame, të atij Rame kur ende i pëlqente me flirtue me idenë suicidale të rezistencës ndaj Perëndimit.
Vetëm që Albini e mori tepër seriozisht këtë sa sjellja e tij ndaj Perëndimit me qenë ajo e nji “Boko Harami”. Jo vetëm kaq, por ai arriti që Kosovën, nga nji rrëfim i nji shteti që marshonte sigurt në procesin e shtetndërtimit perëndimor, me e barazue thuejse në atë bashkë shtetesh malicioze, si Rusia, Bjellorusia e Irani, që kanë sanksione perëndimore. Alas!
Prishtinë, 6 korrik 2023