Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi u justifikua se interpelanca nuk mund të bëhej për shkak se çështja po shqyrtohej në Gjykatën Kushtetuese.
“Është ky organ që do të japë një interpretim përfundimtar mbi kompetencat dhe ndarjen e pushteteve mes institucioneve. Çdo përpjekje për të nxjerrë një vendim politik para se të përfundojë shqyrtimi kushtetues mund të cënojë parimet e pavarësisë së institucioneve”- tha ai.
Balluku u pezullua nga funksionet ekzekutive me vendim të Gjykatës së Posaçme, GJKKO, ndërsa Rama e kundërshtoi si një cënim I kompetencave të tij kryeministrore dhe e dërgoi çështjen për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, ku akoma nuk është marrë në shqyrtim paraprak.
Por opozita nuk e pranoi argumentin dhe akuzoi mazhorancën se po mbronte një të pandehur për korrupsion dhe se i fshihet llogaridhënies në parlament.
“Rama duhet të vijë të japë llogari pse e ka të domosdoshme të mbajë të pandehur një zv/kryeministre, pse gënjen kur thotë se është bllokuar puna e qeverisë”- tha ndër të tjera kreu i Grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.
Që prej komunikimi të akuzës nga SPAK as Balluku dhe as Rama I janë shmangur një llogaridhënie në Kuvend pavarësisht kërkesave të deputetëve të opozitës.
Rama i ka kërkuar Kushtetueses të rikthejë në detyrë Ballukun deri në shqyrtimin në themel të çështjes, por kërkesa e tij akoma nuk ka kaluar shqyrtimin paraprak pasi GK njoftoi se mbledhja e gjyqtarëve do të mbahet më 12 dhjetor.
Përveç ‘rikthimit’ në detyrë të Ballukut, Rama i ka kërkuar Kushtetueses që të zgjidhë mosmarrëveshjen e kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave dhe Gjykatës së Posaçme lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së një ministri.
Prej momentit të dorëzimit të kërkesës, ai ka shtuar presionet publike ndaj gjykatës për një vendimmarrje në favor të kërkesës së tij, duke e konsideruar pezullimin e bashkëpunëtores së tij të ngushtë “si precedent unikal dhe të rrezikshëm”.
Gjykata e Posaçme vendosi që ta pezullonte zv.kryeministren nga detyra dhe t’i ndalonte daljen jashtë vendit, duke i bllokuar pasaportën, pasi ajo u mor e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera pasi akuzohet se ka manipuluar dy tendera me vlerë 210 milionë euro, së bashku me vartësit e saj më të ngushtë, Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, duke favorizuar kompanitë fituese. BIRN