Berisha mbyll fjalimin, protestuesit i “vënë flakën” Kryeministrisë

Ka përshkallëzuar protesta e opozitës, pas fjalës së kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, pasi protestuesit kanë hedhur molotov në drejtim të Kryeministrisë.

Pavarësisht thirrjeve të Policisë së Shtetit, protestuesit hodhën molotov dhe fishekzjarrë drejt godinës së qeverisë, ndërsa efektivët blu janë kundërpërgjigjur me ujë me presion.

Disa prej tyre, kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë, duke hequr barrierat metalike

Pas shpërthimeve qytetarët kanë nisur të largohen nga sheshi në thirrjet “Rama ik”, ndërsa janë përplasur edhe me policinë. Ata janë drejtuar te Parlamenti, ashtu siç ndodhi edhe në protestën e kaluar.

Kujtojmë se mbi 1 mijë e 300 policë janë vendosur në terren me qëllim mbarëvajtjen e protestës.

Në protestën e fundit të PD, më datë 24 janar, pati disa incidente, ku 18 persona u vunë në pranga pasi hodhën lëndë djegëse dhe kundërshtuan e goditën efektivët.