Avokati i Berishës kërkon përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka: Nuk ka zbardhur në kohë vendimin për masën e sigurisë

Avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga çështja për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

Sipas avokatit Genc Gjokutaj, gjyqtarja duhet të përjashtohet për shkak se nuk ka zbardhur në kohë vendimin për lënien në fuqi të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” për ish-kryeministrin, i cili akuzohet për korrupsion pasiv.

“Bëmë një kërkesë për përjashtimin e Irena Gjokës, u ndërpre seanca për të shqyrtuar kërkesën. E kemi shtjelluar ne kërkesën se çfarë kërkojmë. Gjoka ka detyrë të heqë dorë, por ajo nuk e bëri. Gjykata nuk ka zbardhur vendimin, ky është argumenti pse ne kërkojmë përjashtimin e Irena Gjokës”, u shpreh ai.

Seanca për shqyrtimin e kërkesës së avokatëve është shtyrë për në orën 15:00.