Apeli i GJKKO lë në fuqi sekuestron e pasurive të Jamarbër dhe Argita Malltezit

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin për sekuestrimin e pasurive të Jamarbër dhe Argita Malltezit.

Këta të fundit kishin kërkuar heqjen e sekuestros mbi pasuritë, por Apeli i GJKKO ua rrëzoi kërkesën.

Pasuritë e sekuestruara të Jamarbër Malltezit përfshijnë rreth 16 prona të paluajtshme, kryesisht apartamente në Tiranë dhe një vilë në Gjirin e Lalzit. Gjithashtu janë sekuestruar 6 llogari bankare me vlerë totale rreth 250 mijë euro në monedha të ndryshme. Nën sekuestro janë vënë edhe kuota/aksione në tre kompani private, përfshirë Homeplan dhe Magnet.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 16.01.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 13, datë 07.01.2026 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesve A.M. dhe J.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 662 akti, datë 27.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për heqjen e sekuestros preventive”, dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 662 Akti, datë 27.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar”, thuhet në njoftimin zyrtar.