Gazetari Osman Stafa ka deklaruar sot se gjatë viteve të fundit i janë bërë oferta për ta joshur dhe për ta penguar të flasë për çështje që lidhen me Ministrinë e Shëndetësisë dhe skandalin e Onkologjikut.
Sipas tij, një ofertë e tillë i është bërë edhe nga sekretari i përgjithshëm i ministrisë, i cili, siç pretendon Stafa, i ka thënë se mund të shkruante çfarë të dëshironte.
I ftuar në News24, Stafa tha se pavarësisht ndërhyrjeve, nuk ka ndërmend të heqë dorë nga misioni i tij.
Ndihmoj sa mundem ata njerëz që nuk kanë zë. Kam ndërhyrë aq sa mundja, pasi kur një turmë është e mllefosur, çfarë nuk bën. Taulant Balla e merr atë videon dhe shkruan: ‘Klevis Balliu shpëtohet nga Osman Stafa’. Pse e bëjnë këtë gjë? Sepse në gjithë këto vite kanë tentuar që të më blejnë me rastin e Ministrisë së Shëndetësisë, në mënyrë që të mos flas më për Onkologjikun. Çfarë të duash ti, më kanë thënë, letër të bardhë. Më kanë thënë: ‘Shkruaj çfarë të duash ti’. Ma ka thënë sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë. Por unë kam një mision. Unë dua një Shqipëri që është larg politikës 36-vjeçare. Këtë gjë dua.”, tha Stafa.