Nis protesta te Ministria e Arsimit, i riu apel policisë: Hidhini kapelet, ta largojmë Ramën!

Edhe këtë të shtunë ka nisur protesta para Ministrisë së Arsimit, me kërkesë kryesore dorëheqjen e kryeministrit, Edi Rama.

Protestës i janë bashkuar edhe të rinj, të cilët kërkojnë ndryshimin e sistemit.

Një 16-vjeçar i pozicionuar para policisë tregoi se merr pjesë çdo ditë në protestë, pasi kërkon një të ardhme më të mirë. Ai tha se vetë nuk është dhunuar, por disa prej shokëve të tij janë arrestuar dhe mbajtur në komisariat më gjatë nga sa duhej.

Ai iu kërkoi policëve që të heqin kapelet dhe të bashkohen me ta në protestë.

“Hiqeni kapelën! Mendoni për të ardhmen tonë. Jam 16 vjeç dhe vij çdo ditë në protestë. Nuk duam të na rrahin. Kemi bërë pesë muaj protestë. Nuk mjaftonte ajo protestë. Si do të futet ai në BE?

Nuk jam dhunuar, por shokët e mi. Janë arrestuar ata. Janë mbajtur më shumë seç duhet në rajon, janë pyetur, janë të mitur. Prindërit nuk ishin dakord që të dilja. U thashë: ‘Dua të protestoj për të ardhmen time’. I thashë: ‘Do të dal dhe dua një të ardhme më të mirë’”, tha ai.