Mbi 30 eurodeputetë kërkojnë veprim nga Komisioni Europian për bllokimin e llogarive shqiptare nga Meta

Më shumë se 30 eurodeputetë nga grupet Renew Europe, Greens/EFA, S&D dhe The Left i kanë kërkuar zyrtarisht Komisionit Europian të hetojë bllokimin e dhjetëra llogarive shqiptare në platformat e Meta-s.

Mes llogarive të prekura kanë qenë ato të aktivistëve, gazetarëve, figurave politike dhe platformave qytetare. Rasti mori një tjetër dimension më 5 shtator, kur u bllokua edhe llogaria e Euronews Albania në Instagram. Llogaria u rikthye më pas, ndërsa Meta deklaroi se po hetonte rastin.

Eurodeputetët kërkojnë që Komisioni Europian të verifikojë nëse veprimet e Meta-s janë në përputhje me Aktin e Shërbimeve Digjitale (DSA), veçanërisht sa i përket lirisë së shprehjes, transparencës, respektimit të të drejtave themelore dhe menaxhimit të rreziqeve sistemike.

Eurodeputetja Alexandra Geese e cilësoi situatën si një çështje serioze për lirinë e shprehjes.

“Liria e shprehjes është një nga vlerat tona më të larta. Ajo që ndodhi në Shqipëri është e barasvlershme me censurën”, u shpreh Geese.

Ajo kërkoi që Komisioni Europian të hetojë jo vetëm respektimin e rregullave për transparencën dhe trajtimin e ankesave, por edhe nëse bllokimet përbëjnë një rrezik sistemik për lirinë e shprehjes, lirinë e medias dhe debatin publik.

Edhe Martha Dimitratou, themeluese dhe drejtuese ekzekutive e organizatës Repro Uncensored, e konsideroi situatën shqetësuese për demokracinë.

Sipas saj, nëse sistemet e Meta-s mund të manipulohen për të heshtur aktivistë dhe për të nxjerrë jashtë funksionit media të rëndësishme, atëherë bëhet fjalë për një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes.

“Censura e zërave shqiptarë është një çështje që prek të gjithë Europën”, deklaroi Dimitratou, duke kërkuar që Meta të hetojë se kush qëndron pas sulmeve dhe të adresojë dobësitë e sistemeve të raportimit.

Çfarë kërkojnë eurodeputetët?

Në pyetjen parlamentare drejtuar Komisionit Europian, eurodeputetët kërkojnë të përcaktohet se çfarë shkaktoi kufizimin e llogarive dhe nëse pas bllokimeve ka pasur raportime të koordinuara, përdorim të bot-eve apo forma të tjera manipulimi.

Ata kërkojnë gjithashtu të vlerësohet nëse Meta ka marrë masat e nevojshme, në përputhje me nenin 35 të DSA-së, për të parandaluar abuzimin ose manipulimin e automatizuar të mekanizmave të raportimit.

Një tjetër pikë lidhet me respektimin e nenit 14(4) të DSA-së, i cili kërkon që platformat të marrin në konsideratë të drejtat themelore të përdoruesve gjatë zbatimit të kushteve të tyre.

Eurodeputetët kërkojnë gjithashtu të verifikohet nëse përdoruesve të prekur u janë dhënë arsyetime të sakta dhe të mjaftueshme për vendimet e moderimit, veçanërisht në rastet kur janë përdorur ankesa për të drejtat e autorit që mund të kenë qenë të pasakta ose abuzive.

Përgjigjet Komisioni Europian

Komisioni Europian ka reaguar më 11 shtator lidhur me bllokimin e llogarive shqiptare dhe kërkesën e eurodeputetëve.

Gjatë konferencës së mesditës për shtyp, zëdhënësi i Komisionit Europian, Thomas Regnier, konfirmoi se Komisioni po heton tashmë Meta-n lidhur me shqetësimet për “shadow-banning” ose kufizimin e padukshëm të zërave politikë në platformat e saj.

Regnier tha se rastet e fundit në Shqipëri “nuk janë aspak surprizë”, duke konfirmuar se hetimi është në vijim.

Komisioni Europian theksoi gjithashtu rolin e Aktit të Shërbimeve Digjitale, i cili u jep përdoruesve mundësinë të kundërshtojnë vendimet e pajustifikuara për moderimin ose heqjen e përmbajtjeve.

Çështja pritet të mbetet në vëmendje të institucioneve europiane, ndërsa fokusi tashmë është te mënyra se si Meta ka trajtuar raportimet ndaj llogarive shqiptare dhe nëse mekanizmat e saj janë përdorur në mënyrë të koordinuar për të kufizuar zërat politikë, mediatikë dhe qytetarë.