Pesë shtetas shqiptarë riatdhesohen nga Siria

Pesë shtetas shqiptarë, mes tyre gra dhe fëmijë, janë riatdhesuar nga Siria në Shqipëri, në kuadër të një operacioni të përfunduar më 26 gusht.

Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Jashtme, operacioni është realizuar pas një procesi të gjatë koordinimi mes institucioneve shqiptare, përfaqësive diplomatike e konsullore dhe autoriteteve të vendeve të përfshira.

Shtetasit shqiptarë janë kthyer në vend në mënyrë vullnetare, ndërsa autoritetet bëjnë të ditur se pas mbërritjes do t’u ofrohet asistencë dhe do t’u kryhen vlerësime shëndetësore e psikosociale.

Në operacion janë përfshirë edhe autoritetet siriane, të cilat kanë mundësuar procedurat dhe tranzitin e shtetasve shqiptarë.

Task-Forca ndërinstitucionale do të vijojë punën për ndjekjen e procesit të rehabilitimit dhe riintegrimit, si dhe për riatdhesimin e shtetasve të tjerë shqiptarë nga Siria, në rast se krijohen kushtet për një kthim të sigurt.