Kreu i SPAK, Klodian Braho ka zhvilluar një takim informues me gazetarët ku ka bërë një raport të punës së Prokurorisë së Posaçme për 7 muajt e fundit.
Ndërkohë ai është pyetur edhe për arrestimin në Francë të biznesmenit Ermal Beqiraj, në kërkim nga SPAK për dosjen e AKSHI-t.
Braho deklaroi se autoritetet shqiptare kishin informacion për vendndodhjen e Ermal Beqirajt dhe se arrestimi i tij në Francë nuk ishte rastësi. Ai shtoi se SPAK ka qenë prej javësh në kontakt me autoritetet franceze, jo vetëm për kapjen e tij, por edhe për veprimet e tij.
“Prokuroria, në çdo rast, sapo merr urdhrin e gjykatës, e dërgon për ekzekutim pranë organit që ka detyrën përkatëse. Në këtë moment është bërë shpallja në kërkim ndërkombëtar dhe personi që ju përmendni është njëri prej tyre. Nuk ka qenë një veprim i rastësishëm. Prokuroria ka qenë prej javësh në kontakt me autoritetet franceze, ka ndarë informacion me francezët, jo vetëm për kapjen e tij, por edhe për veprimet e tij. Për veprime të tjera do t’ju bëjmë me dije në vijim. Prokuroria e ka ditur se ku ai ndodhej dhe ka dërguar letërporosi para se ai të arrestohej”, tha Braho.