Tension në Aeroportin e Vlorës, kompania e Valon Ademit nuk lejon hyrjen në kantier të punëtorëve të Behgjet Pacollit

Vijojnë tensionet në Aeroportin e Vlorës, mes kompanisë “2A” të Valon Ademit dhe kompanisë “MABCO” të Behgjet Pacollit.

Mëngjesin e sotëm është shënuar një tjetër përplasje mes dy kompanive, ku raportohet se punonjësit e Valon Ademit nuk kanë lejuar futjen në kantier të punonjësve të Pacollit.

Ndërkohë, kompania e këtij të fundit thotë se ka të drejtë ligjore për të ushtruar aktivitetin e saj, ndërkohë që “2A” pretendon se hyrja e tyre është e paautorizuar.

Konflikti Ademi – Pacolli

Konflikti nisi pas ndryshimeve në strukturën e konsorciumit që fitoi koncesionin për ndërtimin dhe operimin e aeroportit. Fillimisht projekti drejtohej nga një bashkëpunim mes MABCO, kompanisë turke YDA dhe 2A Group. Por pas largimit të YDA nga projekti, aksionet e saj kaluan te MABCO, duke ndryshuar raportet e forcës brenda kompanisë koncesionare.

Sipas pretendimeve të 2A Group, në atë periudhë palët kishin firmosur një marrëveshje noteriale që parashikonte ndarjen reale të aksioneve me rreth 53% për MABCO dhe 47% për 2A Group. Megjithatë, kjo marrëveshje nuk u reflektua në dokumentacionin zyrtar të QKB-së, ku MABCO vijonte të figuronte me afro 98% të aksioneve dhe 2A vetëm me 2%.

Kjo situatë solli përplasjen e hapur mes dy kompanive. Valon Ademi akuzoi publikisht Behgjet Pacollin për tentativë për të marrë kontroll të plotë të aeroportit dhe për mosnjohje të marrëveshjes mes ortakëve. Nga ana tjetër, Pacolli ka kundërshtuar vlefshmërinë e dokumenteve të paraqitura nga 2A Group, duke ngritur dyshime mbi procedurat noteriale dhe autenticitetin e tyre.

Konflikti kaloi në administrimin e kompanisë së aeroportit, ku MABCO ndërmori vendime për shkarkime administratorësh dhe ndryshime në drejtim, të cilat 2A Group i konsideroi të paligjshme dhe në kundërshtim me marrëveshjet mes ortakëve.

Gjykata e Tiranës vendosi pezullimin e përkohshëm të të drejtës së votës së MABCO në kompaninë koncesionare të aeroportit. Më pas edhe Gjykata e Apelit la në fuqi këtë masë, duke i dhënë përkohësisht kontrollin administrativ 2A Group deri në një vendim përfundimtar mbi pronësinë dhe të drejtat e aksioneve.

Gjithashtu janë ngritur pretendime për falsifikim dokumentesh, mashtrim dhe veprime financiare të paautorizuara. Një nga pikat më të debatueshme mbetet një marrëveshje kredie prej 100 milionë eurosh me fondin “Delphos”, që sipas 2A Group është realizuar pa transparencë dhe pa miratimin e ortakëve të tjerë.

Ndërsa Aeroporti i Vlorës konsiderohet projekt strategjik për turizmin dhe ekonominë shqiptare, beteja mes dy grupeve të biznesit rrezikon të ndikojë jo vetëm në administrimin e aeroportit, por edhe në ritmin e zhvillimit të tij në të ardhmen.