Posti i QOKAVE, a na duhen kaq shumë ZV.MINISTRA në qeveri?

Posti i zv.ministrit në Shqipëri ka qenë përherë shumë pak i rëndësishëm në Shqipëri, por në 10 vitet e qeverisjes së Partia Socialiste me kryeministër Edi Ramën, rëndësia e zv.ministrave ka rënë edhe më shumë.

Emërimi i zv.ministrave po bëhet përherë e më shumë jo në bazë të aftësive profesionale, por në këto poste janë vendosur njerëz që i shërbejnë partisë në zgjedhje dhe në fushata elektorale, por edhe fëmijë të ish-kolegëve.

Pikërisht këto emërime e kanë kthyer postin e zv.ministrit në një post qokash, ku bëhen ndere dhe emërohen njerëz për të marrë miliona lekë rrogë në muaj, rroga që paguhen nga taksat e qytetarëve.

Vitet e fundit numri i zv.ministrave është rritur ndjeshëm, pasi ka disa ministri që kanë nga 4 zv.ministra, të cilët përfitojnë rroga të larta dhe honorare të shumta, pavarësisht se nuk dihet se çfarë pune bëjnë me saktësi.

Ministritë e Shëndetësisë, Energjitikës, Financave dhe Bujqësisë kanë 4 zv.ministra për secilën, por janë pikërisht këto ministri që kanë buxhetet më të lartë dhe që kanë sjellë edhe skandalet më të mëdha të abuzimeve me buxhetin e shtetit dhe tenderat korruptivë.

Por a i duhen Shqipërisë kaq shumë zv.ministra, në një kohë kur edhe shefat e tyre vetëm sa zbatojnë urdhrat e kryeministrit?

Pavarësisht se Rama ka thënë se do të rrisë rolin e zv.ministrave, një numër i tillë i ekzagjeruar nuk bën asgjë më shumë sesa rëndon buxhetin e shtetit, pasi janë më shumë se 40-50 mijë euro vetëm rroga në muaj, për të mos folur për përfitimet e tjera që të jep ai post.

Pra, këta zv.ministra i shërbejnë vetëm partisë në pushtet për fushata elektorale dhe asnjëherë nuk janë venë në shërbim të qytetarëve apo të institucionit ku punojnë, pasi roli i tyre është shumë pak i rëndësishëm. Zv.ministrat “punojnë” vetëm kur ministri përkatës iu ngarkon detyra, ndërsa firmosin edhe ndonjë dokument kur mungon shefi i tyre. Për të mos folur edhe për këshilltarët që ka çdo ministri, që “këshillojnë” ministrat të firmosin ato që urdhëron kryeministri.

Por ka patur edhe raste kur si zv.ministra janë emëruar persona që u kanë denoncuar skandalet e njëpasnjëshme ministrive. Ata janë punësuar për të “mbyllur gojën”, për të ikur sërish pas një periudhe të shkurtër kohe.

Si përfundim, Shqipërisë nuk i duhen kaq shumë zv.ministra, por secilës ministri fillimisht i duhet vendosur në krye një person i fushës përkatëse, pasi prej vitesh në vendin tonë, “mësuesi i anglishtes” ka qenë ministër Finance. Më pas mund të mendohet për zëvëndësit e tyre, pa patur në mendje qokat dhe nderet për miqtë.

Ndërkohë, edhe pse janë më shume se 30 zv.ministra, për emrat e tyre ka edhe mungesë informacioni në faqet përkatëse të ministrive, edhe pse për mirëmbajtjen e tyre paguhen miliona lekë.