Udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, po vazhdon të rikuperohet nga plagë të rënda në fytyrë dhe këmbë, të marra gjatë një sulmi ajror që vrau babanë e tij në fillim të luftës, raportojnë tre burime pranë rrethit të tij të ngushtë për Reuters.
Sipas tyre, fytyra e Khameneit është deformuar nga sulmi ndaj kompleksit të udhëheqësit suprem në Teheranin qendror, ndërsa ai ka pësuar dëmtime të konsiderueshme në një ose të dyja këmbët.
Megjithatë, 56-vjeçari thuhet se është në rikuperim dhe mbetet i kthjellët mendërisht. Ai po merr pjesë në takime me zyrtarë të lartë përmes konferencave audio dhe është i përfshirë në vendimmarrje për çështje madhore, përfshirë luftën dhe negociatat me Shtetet e Bashkuara.
Çështja e aftësisë së tij për të drejtuar shtetin vjen në një moment kritik për Iranin, ndërsa bisedimet e rëndësishme për paqe me SHBA-në pritet të nisin në Islamabad.
Megjithatë, vendndodhja, gjendja shëndetësore dhe aftësia e tij për të qeverisur mbeten kryesisht mister për publikun. Që nga sulmi ajror dhe emërimi i tij si pasues i babait më 8 mars, nuk është publikuar asnjë foto, video apo regjistrim audio i tij.
Misioni iranian në OKB nuk ka komentuar mbi shkallën e plagëve apo mungesën e paraqitjeve publike.
Khamenei u plagos më 28 shkurt, në ditën e parë të luftës së nisur nga SHBA dhe Izraeli, sulm që i mori jetën babait të tij, Ajatollah Ali Khamenei, i cili kishte udhëhequr Iranin që nga viti 1989. Në sulm u vranë gjithashtu edhe anëtarë të tjerë të familjes së tij.
Nuk ka një deklaratë zyrtare nga autoritetet iraniane mbi gjendjen e tij, por media shtetërore e ka përshkruar si “janbaz” – term që përdoret për të plagosurit rëndë në luftë.
Deklaratat e burimeve përputhen me ato të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili më 13 mars tha se Khamenei ishte “i plagosur dhe me gjasa i deformuar”. Një burim i afërt me inteligjencën amerikane ka shtuar se ai mund të ketë humbur një këmbë.
Ekspertët vlerësojnë se, pavarësisht gjendjes shëndetësore, lideri i ri nuk pritet të ketë të njëjtin autoritet si babai i tij. Sipas analistit Alex Vatanka, Mojtaba Khamenei do të jetë një zë i rëndësishëm, por jo domosdoshmërisht vendimtar, të paktën në fazat e para të udhëheqjes së tij.
Ndërkohë, mungesa e tij në publik ka nxitur spekulime të shumta në rrjetet sociale iraniane, ku po qarkullojnë edhe meme me pyetjen: “Ku është Mojtaba?”.
Nga ana tjetër, disa mbështetës të regjimit argumentojnë se qëndrimi i tij larg vëmendjes është i domosdoshëm për arsye sigurie, për shkak të kërcënimeve nga sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit.
Sipas burimeve, publikimi i imazheve të tij mund të ndodhë brenda një ose dy muajve, madje nuk përjashtohet edhe një dalje publike, nëse gjendja shëndetësore dhe situata e sigurisë e lejojnë.