Është zbardhur vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese lidhur me zbërthimin dhe përpunimin e të dhënave në kuadër të procesit hetimor nga telefonat e sekuestruar të individëve konkretë nga ana e SPAK.
Kushtetuesja vendosi që asnjë aparat celular të mos hapet pa një vendim gjykate, duke përfshirë këtu as në kushtet e flagrancës apo urgjencës, ndërsa asnjë e dhënë që nuk ka lidhje me çështjen hetimore, të mos përpunohet.
Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese erdhi pas padisë së Onejda Ymeraj, telefoni i së cilës ishte sekuestruar në kuadër të çështjes hetimore në ngarkim të ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetajt.
Në ankimin e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, Ymeraj pretendon se asaj i është sekuestruar telefoni celular pa qenë subjekt i ndonjë procedimi penal. Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkimet e Ymerajt, duke i dhënë të drejtë për mbrojtjen e të dhënave personale dhe fshehtësisë së korrespondencës në këndvështrim të nenit 35 të Kushtetutës.
Sipas GJK, sekuestrimi i telefonit të saj pa vendim gjykate dhe marrja e aksesit të pakufizuar deri në cënim të privatësisë përbën shkelje ligjore.
Nga ana tjetër, SPAK argumenton se veprimi ishte i domosdoshëm dhe urgjent, për të shmangur rrezikun e humbjes ose fshirjes së të dhënave elektronike, duke e konsideruar telefonin si mjet prove.
Gjykata urdhëroi eliminimin e çdo të dhëne të përpunuar që nuk ka lidhje me hetimin, ndërsa nga ana tjetër, legjitimoi sekuestrimin për vetëm ato materiale që lidhen drejtpërdrejt me çështjen.