A ka ikur vërtet komunizmi nga Shqipëria?

Tre dekada pas shembjes së diktaturës, Shqipëria vazhdon të sillet sikur ka lënë pas një kapitull të errët të historisë së saj. Por sa herë shikon realitetin institucional, kulturën politike dhe mënyrën se si funksionon pushteti, pyetja që lind natyrshëm është: a ka ikur vërtet komunizmi, apo thjesht ka ndryshuar formë?

Shqipëria e sotme qeveriset nga Partia Socialiste, e cila është vazhduese direkte e Partisë së Punës. Me reformimet, ndryshime statutore dhe me futjen në pluralizëm, PS u transformua në një parti moderne europiane, të paktën në letër. Por, ata që e drejtojnë sot Partinë Socialiste janë pasardhës të zyrtarëve të Partisë së Punës.

Një sërë institucionesh publike vijojnë të drejtohen nga ish-zyrtarë të kohës së komunizmit. Në arsimin e lartë, në administratë dhe në institucione të tjera, gjen ende figura që kanë mbajtur poste të rëndësishme para viteve ’90 dhe një pjesë e tyre, me mbështetje politike, kanë vijuar karrierën e tyre edhe në demokraci, ku rasti i Skënder Gjinushit është treguesi më i qartë.

Në parlament, gjithashtu, kanë kaluar e vazhdojnë të ulen ish-funksionarë të regjimit ose persona të lidhur drejtpërdrejt me strukturat e pushtetit të Enver Hoxhës. Edhe pse kjo nuk është e ndaluar ligjërisht, problemi qëndron te kultura politike e këtyre individëve, pasi sado që të përpiqen të demokratizohen, mentaliteti i tyre duket sikur ka ngelur ai i para viteve ’90.

Sot Shqipëria nuk ka diktaturë. Ka zgjedhje, pluralizëm politik e ekonomik, media private dhe ekonomi tregu. Por, le të jemi realistë! Pjesa më e madhe e mediave janë të varura, të kapura nga politika dhe interesat ekonomike. Shumë redaksi nuk veprojnë si pushtet i katërt, por si megafonë të pushtetit, ku transmetohet vetëm propaganda qeveritare dhe fshihen problemet e vërteta të shqiptarëve.

Edhe ekonomia në shumë raste ka një ngjashmëri të frikshme me modelin e centralizuar. Shteti është investitori kryesor, punëdhënësi kryesor dhe shpërndarësi kryesor i favoreve. Projektet e mëdha, koncesionet, tenderat, të gjitha kalojnë në institucionet e kontorlluara politikisht.

Këto nuk janë prova se komunizmi është këtu, por janë shenja se modeli i qeverisjes së sotme ngjan shumë me atë të vjetrin: kontroll, centralizim, nënshtrim i institucioneve, mungesë meritokracie, dhe një popull që mësohet të mos kërkojë llogari, por të heshtë pas çdo skandali.

Diktatura ka rënë, por hija e saj vijon të rëndojë mbi shqiptarët. Largimi i komunizmit nuk ndodh menjëherë, kërkon kohë që të zhduket nga institucionet dhe mendësia e njerëzve.

Derisa të ndodhë kjo, Shqipëria do të mbetet diku në mes: komunizmi nuk sundon më, por as nuk është zhdukur plotësisht!