Gjykata e Lartë merr vendimin për Olta Xhaçkën dhe bashkëshortin “strategjik”

Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e bërë nga Fredi Beleri për hetimin e ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka dhe bashkëshortit të saj Artan Gaçi, lidhur me privatizimin e tokave në Himarë ku do ndërtohej resort turistik, dhe mbi të cilën morën statusin e investitorit strategjik.

Gjykata e Lartë, me relator Sokol Binaj dhe anëtarë Ilir Panda e Sandër Simoni, në seancën gjyqësore të së hënës, la në fuqi vendimin e Apelit, duke vendosur që çifti Xhaçka-Gaçi të mos hetohet.

Beleri në kallëzimin e tij kishte kërkuar shfuqizimin e vendimit të Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (SPAK), që kishte vendosur të mos fillojë procedimin penal ndaj Olta Xhaçkës dhe Artan Gaçit lidhur me tjetërsimin e pronave në Himarë, ku bashkëshorti i ish-ministres do të bënte një investim luksoz, por toka tashmë është e sekuestruar me urdhër të SPAK.

Në padinë e Belerit, thuhet se Olta Xhaçka me mosveprimet e saj, duke mosdeklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitorët strategjikë si dhe ligjin për konfliktin e interesit nuk i takojnë. Xhaçka nëpërmjet investimit strategjik në një pronë të falsifikuar, ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrimet tatimore.