FOTO/ Ky është 23 vjeçari që u mori jetën dy motrave në Sarandë, specialist në Ministrinë e Brendshme

Është publikuar foto e 23 vjeçarit Kevin Norra, i cili shkaktoi aksidentin tragjik në Sarandë ku humbën jetën dy motrat Elvisa dhe Rozina Dhimaku dhe u plagos shoqja e tyre, Antonela Zhupa.

I riu mësohet se po punonte si specialist në Ministrinë e Brendshme dhe dje drejtonte makinën në gjendje të dehur.

Policia e Sarandës bëri me dije se testi i parë i alkoolit tregoi nivelin 1.52 mg/l, ndërsa testi i dytë 1.42 mg/l. 

Duke tentuar një parakalim të gabuar, automjeti i tij tip “Audi” është përplasur kokë më kokë më makinën tip “Lancia” në të cilën ishin tre vajza. Përplasja rezultoi fatale për dy motrat Elvisa dhe Rozina Dhimaku, përkatësisht 22 dhe 20 vjeçe.

Ndërkohë nga aksidenti mbeti e plagosur edhe 24-vjeçarja Antolena Zhupa. Kjo e fundit ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr trajtim mjekësor dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. 

23-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe akuzohet për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”.

Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin K. N., 23 vjeç, banues në Fier, për veprat penale ‘Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor’ dhe ‘Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt’. Ky shtetas, më datë 24.08.2025, rreth orës 20:15, në aksin rrugor Delvinë-Sarandë, duke drejtuar automjetin tip ‘Audi’, në gjendje të dehur (nga verifikimet e kryera në vendngjarje ka rezultuar: testi i parë i alkoolit në masën 1.52 mg/l, ndërsa testi i dytë në masën 1.42 mg/l), është përplasur me automjetin tip ‘Lancia’, me drejtuese shtetasen E. Dh., 22 vjeçe. Si pasojë e aksidentit, humbën jetën shtetaset E. Dh., 22 vjeçe dhe R. Dh., 20 vjeçe, ndërsa shtetasja A. Zh., 24 vjeçe, mbeti e dëmtuar rëndë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve”– njoftoi policia.