Qytetet europiane kundër turizmit masiv

Ndërsa protestat kundër turizmit masiv po përhapen në qytetet europiane – nga Spanja në Venecia – ekspertët e industrisë paralajmërojnë se kjo situatë ishte e pashmangshme. Noel Josephides, drejtues me përvojë në turizmin britanik dhe europian, thotë se kishte kohë që e shihte këtë krizë të ardhshme.

“Thashë qartë që kjo do dilte jashtë kontrollit,” kujton ai një fjalim të mbajtur në vitin 2013, kur Airbnb dhe linjat ajrore me buxhet të ulët nisën të revolucionarizonin udhëtimet në Europë.

Sot, shumë qytete turistike përballen me pasojat: çmime të larta, mungesë banesash për vendasit, rrugë të mbushura dhe shërbime që nuk e përballojnë dot fluksin. Në Barcelonë, shumë banorë janë larguar nga qendra për shkak të rritjes së qirave dhe zhurmës së pandërprerë.

Në Venecia, ku banorët ndihen të huaj në qytetin e tyre, një popullsi në plakje dhe mbingarkesa e vazhdueshme me turistë po kërcënon të ardhmen e qytetit.

“Turizmi është kthyer në një cikël shkatërrues,” shpjegon Josephides. Fillimisht destinacionet e panjohura tërheqin pushues me të ardhura më të larta. Më pas, linjat me kosto të ulët dhe Airbnb sjellin turizmin masiv, duke ndryshuar natyrën e vendit dhe duke detyruar valën e parë të largohet.

Autoritetet në Palma të Spanjës dhe qytete të tjera kanë filluar të marrin masa – nga ndalimi i qirave afatshkurtra në qendra historike, te kufizimi i numrit të turistëve nga anijet e mëdha dhe investime për të rikthyer banorët në fokus të politikave turistike.

“Turizmi nuk mund të jetë vetëm përfitim ekonomik,” thotë Pedro Homar, drejtori i turizmit në Palma. “Nëse nuk është i qëndrueshëm për mjedisin dhe shoqërinë, nuk ka të ardhme.”

Ndërkohë, ekspertët kërkojnë një qasje të re: turizëm më të shpërndarë, më të përfshirë, dhe me më shumë respekt për komunitetet vendase.