A janë groposur në heshtje? 10 muaj pas sekuestrimit, asnjë përgjigje për 102 konteinerët me mbetje toksike

Kanë kaluar plot 10 muaj që nga momenti kur anija “Moliva” u ankorua në Portin e Durrësit me 102 konteinerë të dyshuar për mbetje toksike, të kthyer nga Tajlanda pas refuzimit për shkarkim.

Në atë kohë, autoritetet shqiptare vepruan me bujë, Prokuroria e Durrësit urdhëroi sekuestrimin e menjëhershëm dhe konteinerët u zhvendosën në Porto Romano, si dhe u premtuan analiza laboratorike dhe transparencë për përmbajtjen e ngarkesës.

Lexo edhe: Prokuroria e Durrësit vendos sekuestrimin e kontenierëve me mbetje toksike që u rikthyen nga Tajlanda: Të groposen dhe të vëzhgohen 24 orë me kamera

Sot, pas gati një viti, nuk ekziston asnjë informacion zyrtar.

Institucionet janë mbyllur në heshtje. Nuk dihet nëse analizat janë kryer, çfarë kanë treguar apo çfarë është bërë me konteinerët. Edhe vendndodhja e tyre aktuale mbetet e paqartë për publikun.

Zyrtarë të lartë të qeverisë nuk japin përgjigje, ndërsa Prokuroria e Durrësit nuk ka komunikuar asnjë përditësim mbi hetimin që vetë nisi me urgjencë në vjeshtën e vitit të kaluar.

Ndërkohë, burimet ndërkombëtare, përfshirë Rrjetin e Bazelit, deklaruan se kishin analizuar kampionë të kësaj ngarkese jashtë vendit dhe kanë zbuluar lëndë të rrezikshme si arsenik dhe plumb, me origjinë të mundshme industriale nga zona e Elbasanit.

Lexo edhe: Anija me lëndë kimike, flet drejtori i Rrjetit të Bazelit: Kemi bërë ekzaminimet tona, janë gjetur lëndë të rrezikshme

Kjo shton më shumë dyshime mbi përmbajtjen e kontejnerëve dhe mbi mundësinë e një skeme më të gjerë të importit të paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme në Shqipëri.

Opozita ka ngritur akuza për fshehje të një afere mjedisore me pasoja të rënda për shëndetin publik, ndërsa kërkesat për hetim ndërkombëtar janë shtuar. Agron Shehaj, drejtues i Partisë Mundësia, paralajmëroi se mbetjet mund të groposeshin në mënyrë të paligjshme.

Lexo edhe: Shehaj kërkon hetim ndërkombëtar për mbetjet toksike: Do të groposen, në rrezik shëndeti i qytetarëve

Por, kur një ngarkesë me 102 kontejnerë të dyshuar për mbetje toksike zhduket nga radari publik, pa analiza dhe pa asnjë sqarim zyrtar, lind një pyetje e thjeshtë dhe e domosdoshme: Çfarë po fshihet pas kësaj heshtjeje?