Nis shkolla verore për deputetët e rinj të Partisë Socialiste, të dalë nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 majit.
Ata janë thirrur këtë të premte për të marrë pjesë në Akademinë Politike të PS-së, ndërsa “profesiori” i parë që do t’u japë leksionet ligjvënësve socialistë është Fatmir Xhafaj.
Teska po hynte në selinë e PS, deputetja e qarkut të Fierit, Zegjine Caushi, shprehu emocionet dhe nuk kurseu fjalët për “profesorët” e saj.
“Nuk është dita e parë e shkollës, është thjesht një trajnim. Të gjithë lektorët janë shumë të mirë, që nga Kryeministri e deri tek i fundit. Nuk kemi një të preferuar. Shumë faleminderit, këtu do jemi, pa merak”, theksoi ajo.
Gazetarëve nuk u shpëtoi as lektori i Partisë Socialiste. Fatmir Xhafaj tha se deputetët nuk po bëjnë shkollë, por shtoi se Akademia e PS ka për qëllim përcjelljen e ekeperiencës së më të vjetërve te kolegët e rinj.
Ai theksoi se kishte disa mesazhe për të ndarë, por këto porosi shtoi Xhafaj do t’ua përcillte ekskluzivisht vetëm deputetëve të rinj, të cilët para nisjes së pushimeve verore dhe sesionit të ri parlamentar në shtator do të marrin leksione nga disa përfaqësues të Partisë Socialiste, mes tyre dhe Edi Rama.
“Nuk do të bëj mësim – ata nuk janë nxënës, janë kolegë të mi. Siç ndodh kudo, dikush që ka një eksperiencë më shumë përpara, mundohet t’ua transmetojë kolegëve. Është kënaqësi për mua që të takohem me kolegët e mi, me të cilët do të ndaj katër vitet e ardhshme në Parlament. Kam disa mesazhe për ta, por do t’ua jap atyre,” tha Xhafaj.
Hapja e Akademisë Politike të PS-së për vitin 2025 u bë nga Kryeministri Edi Rama ditën e enjte në ambientet e COD në Kryeministri.
Ceremonia ishte e mbyllur, ndërsa leksionet e para për 39 deputetët e rinj të PS-së filluan këtë të premte në selinë rozë.