Vrasja e Arben Lleshit, Prokuroria e Elbasanit çon për gjykim Sokol Mjacajn dhe 12 zyrtarët e burgut të Peqinit

Prokuroria e Elbasanit ka dërguar për gjykim Sokol Mjacajn, i cili në dhjetor të vitit 2023, vrau në burgun e Peqinir, Arben Leshin ndërsa i plagosur mbeti Indrit Shaqja.

Gjithashtu për gjykim janë dërguar edhe 12 zyrtarë të asaj kohe të burgut të Peqinit, të cilët akuzohen për “shpërdorim të detyrës” dhe për mosrealizimin e detyrës së sigurisë, që mund të kenë kontribuar në mundësimin e kryerjes së krimit brenda burgut të Peqinit.

Sokol Mjaçaj, i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm në burgun e sigurisë së lartë IEVP “Peqin”, qëlloi me armë zjarri ndaj të burgosurve Indrit Shaqja dhe Arben Lleshi në 15 dhjetor të vitit 2023. Mjaçaj është konfliktuar me dy të dënuarit dhe më pas ka qëlluar me armë. Si pasojë Lleshi nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra, ndërsa Shaqja u raportua asokohe jashtë rrezikut për jetën.

Kjo ngjarje shkaktoi një reagim të madh në opinionin publik dhe ka ngritur shqetësime për sigurinë dhe kontrollin në burgjet shqiptare.

Arben Lleshi ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen dhe më pas djegien e trupit të pajetë të Agim Hoxhës në 2012 në Britaninë e Madhe. 

Ndërkohë Sokol Mjacaj ishte dënuar me burg përjetë për vrasjen e dy turistëve cekë gjatë një tentativë grabitje në 2015.