Pas SHBA edhe Zvicra braktis Shqipërinë: Do t’u japim fund programeve të ndihmave

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe Zvicra ka vendosur të ndalojë fondet e saj për Shqipërinë.

Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) konfirmoi se do të tërheqë gradualisht programin e saj dypalësh të zhvillimit në Shqipëri deri në fund të vitit 2028.

Departamenti Federal i Punëve të Jashtme (FDFA) pohoi se kjo masë vjen për shkak të shkurtimeve buxhetore në planin financiar të Zvicrës 2026–2028 për bashkëpunimin zhvillimor.

“Për sa i përket bashkëpunimit dypalësh të zhvillimit, SDC do të heqë gradualisht programet e saj të zhvillimit dypalësh në Shqipëri, Bangladesh dhe Zambi deri në fund të vitit 2028. Ky vendim u bazua në nevojat aktuale në terren, në interesat afatgjata të Zvicrës (diplomatike dhe ekonomike) dhe vlerën e shtuar të bashkëpunimit ndërkombëtar zviceran në krahasim me vendet e tjera.”, thekson FDFA-ja në një deklaratë për shtyp.

Në fund të dhjetorit, parlamenti zviceran bëri shkurtime prej 110 milionë frangash zvicerane (116.4 milionë euro) në buxhetin e vitit 2025 dhe 321 milionë franga zvicerane (340 milionë euro) në planin financiar 2026–2028 për bashkëpunimin zhvillimor dypalësh dhe shumëpalësh

Marrëdhëniet ekonomike mes Zvicrës dhe Shqipërisë përqendrohen në tregtinë farmaceutike, energji, ushqim, shërbime ndërtimi dhe gjithnjë e më shumë turizëm.

Pak ditë më parë, Ambasada e Amerikane në Tiranë njoftoi Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë për pezullimin e fondeve për disa institucione.

Mes institucioneve, të cilat u prekën nga kjo masë është edhe SPAK, organi i drejtësisë së re.