Shpërthim me tritol lokalit në Fushë Krujë dhe një makine në Shkodër, pronarët: Nuk kemi konflikte me askënd

Dy shpërthime me tritol janë regjistruar në orët e fundit në Fushë Krujë dhe në Shkodër. Në Shkodër, sasia e eksplozivit shpërtheu në mjetin në pronësi të 37 vjeçarit, Alban Bushati. Ky i fundit ka deklaruar se nuk ka asnjë ide se kush mund të jenë autorët e ngjarjes, pasi vetë ka një vetëm një biznes ku shet fruta-perime.

“Në orët e para të mëngjesit, në lagjen “Partizani”, Shkodër, në automjetin e shtetasit A. B., 37 vjeç, i parkuar në rrugën “Martin Camaj”, është vendosur dyshohet lëndë plasëse tek goma e parë e automjetit, i cili është dëmtuar pjesërisht”-njofton policia.

Ndërkohë një tjetër sasi eksplozivi shpërtheu në lokalin e Bledar Telit në Fushë Krujë.

Si pasojë e shpërthimit janë regjistruar dëme të mëdha materiale. Pronari ka thënë në polici se nuk ka konflikte me askënd.

“Më datë 31.01.2025, në orët e para të mëngjesit, në Fushë-Krujë, janë dëmtuar dyshohet me lëndë plasëse xhamat e fasadës së jashtme të lokalit në pronësi të shtetasit B. T.

Grupi Hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e rrethanve të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”- njoftoi policia.