Anija me lëndë kimike, flet drejtori i Rrjetit të Bazelit: Kemi bërë ekzaminimet tona, janë gjetur lëndë të rrezikshme

Drejtori i rrjetit të Bazelit, Jim Pocket, ka folur nga Durrësi për anijen “Moliva” me mbetje të rrezikshme, që pritet të ankorohet në Portin e Durrësit pasditen e sotme.

Anija me 102 konteinerë me mbetje industriale ishte nisur drejt Tajlandës dhe dyshohet se mban lëndë të dëmshme helmuese nga hiri i oxhaqeve metalurgjike, ndaj edhe autoritetet vendase e kanë kthyer drejt Shqipërisë.

Pocket tha se kanë shkuar te fabrika në Tajlandë dhe e kanë parë atje, ndërsa shton se ekzaminimet tregojnë se është gjetur mbetje toksike të rrezikshme, si arsenik dhe plumb.

“Jemi këtu me rastin  arritjes së anijes me mbetej toksike me 102 kontejnerë. Presim që anija Moliva të arrijë prapa krahëve tonë dhe të ankorohet pasdite. Do të vinte sot në mëngjes në orën 8, por është kërkuar nga autoritetet të mbahet një km larg bregut. Kemi informacion që kemi kërkuar që kapiteni të vijë dhe të qëndrojë në pritje.

Besoj se kjo shtyrje është për shkak se ju jeni të gjithë këtu. Besojmë se pasdite do të ankorohet, por nuk jemi të sigurt  se çfarë do të ndodhë më pas.

Jemi në dijeni se ka një procedim penal nga Prokuroria për këtë çështje dhe shpresojmë që prokurorët të jenë këtu kur të vijë anija”, tha ai.

“Shpresojmë që hapja e kontejnerëve të bëhet nën mbikëqyrje të rreptë dhe në transparencë me publikun.

Ka patur shumë polemika për këtë dërgesë. Disa thonë që nuk ka mbetje toksike, por jemi 90% të sigurt se ka mbetje toksike. Presim një analizë të plotë nga organet kompetente.

Jam 100% i sigurt se kjo ngarkesë nuk duhej të transportohej në Tajlandë. Kemi shkuar te fabrika në Tajandë dhe e kemi parë atje. Kemi bërë ekzaminimet tonë dhe kemi gjetur mbetje toksike të rrezikshme, arsenik dhe plumb.

Besojmë se e ka origjinën nga kompania e çelikut e vendosur në Elbasan prandaj janë bërë gjithë vëzhgimet  e nevojshme”,shtoi Pocket.

Ndërkohë, Prokuroria e Durrësit ka vendosur të sekuestrohen kontenierët e dyshuar me mbetje toksike, teksa thotë në vendim se këto mbetje duhet të depozitohen pa u hapur në një vend të sigurt për sa i përket sigurisë mjedisore dhe fizike dhe të monitorohen me kamera 24 orë.