Prokuroria e Durrësit ka vendosur të sekuestrohen kontenierët e dyshuar me mbetje toksike që u kthyen në portin e Durrësit,mëngjesin e sotëm.
Ato ishin nisur nga ky port tre muaj më parë, ndërsa alarmi për përmbajtjen e tyre u dha nga rrjeti i Bazelit,një organizatë ndërkombëtare joqeveritare, i cili publikoi lajmin se ngarkesa me mbetje toksike ishte nisur nga Shqipëria në korrik të këtij viti me destinacion Tajlandën, e cila më pas e refuzoi atë.
Prokuroria thotë në vendim se këto mbetje duhet të depozitohen pa u hapur në një vend të sigurt për sa i përket sigurisë mjedisore dhe fizike dhe të monitorohen me kamera 24 orë.
Sipas prokurorisë, të gjithë subjeketet e ngarkuara me zbatimin e këtij vendimi të nënshkruajnë në procesverbalin e sekuestrimit, në të cilin të përshkruhen në mënyrë të detajuar të gjitha veprimet që do kryhen në ekzekutim të vendimit dhe përshkrimi i saktë i sendeve.
Vendimi i Prokurorisë:
Bashkëlidhur me këtë shkresë, po ju dërgojmë për ekzekutim Vendimin e Prokurorit datë 26.10.2024 për sekuestrimin e konteniereve në lidhje me proçedimin penal nr. 1596/2024.
Të gjithë subjeketet e ngarkuara me zbatimin e këtij vendimi të nënshkruajnë në procesverbalin e sekuestrimit, në të cilin të përshkruhen në mënyrë të detajuar të gjitha veprimet që do kryhen në ekzekutim të vendimit dhe përshkrimi i saktë i sendeve. Të merren masa që sendet e sekuestruara të depozitohen në një vënd të sigurtë si përsa i përket sigurisë mjedisore dhe asaj fizike, nëpërmjet monitorimit të kamerave 24 orë.
Sendet e sekuestrua të mbahen në gjendjen që janë pa u proceduar me hapjen e tyre. Praktika e mbajtur për ekzekutimin të dërgohet menjëherë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.