Ilir Meta kalon natën e parë në qeli, avokati i tij tregon porosinë që i la kreu i Partisë së Lirisë

Që prej pasdites së djeshme, kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ndodhet në bllokun e sigurisë te “Mine Peza”, ku ka kaluar edhe natën e tij të parë në qeli.

Ditën e sotme i ka shkuar për vizitë avokati i tij, Genc Gjokutaj, i cili i ka çuar disa ushqime, kreut të Partisë së Lirisë, i cili u arrestua një ditë më parë të Kthesa e Kamzës.

Në një komunikim për mediat, avokati Gjokutaj tregoi edhe mesazhin që Ilir Meta kishte për gazetarët, për ta pasqyruar me transparencë të gjithë procesin, edhe përtej hetimeve të SPAK.

“Ky është një takim rutinë me zotin Meta. Ju bëj me dije që pas leximit të vendimit nuk flitet për asnjë provë. Qëllimi i izolimit të tij është politik. Meta është pjesë e opozitës që sot është në një sulm të padrejtë, jo juridik, politik, por përmes instrumenteve ligjzbatuese dhe të drejtësisë. Zero prova. Shkaku i izolimit të Ilir Metës është cështja e sovranitetit dhe të gjitha denoncimet që i ka bërë korrupsionit të kësaj qeverie.

Zoti Meta për mediat ka një porosi, ju inkurajon të pasqyroni me transparencë këtë proces edhe tej atyre që SPAK thotë. Qëllimi për të cilin Meta është i izoluar me tekstin që është shkruar në vendim janë kundra dhe s’kanë të bëjnë me njëra-tjetrën”- u shpreh Gjokutaj.