Dosja Partizani, caktohet data e seancës paraprake ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha

Më datë 24 tetor në orën 12:00 do të mbahet seanca paraprake ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltëzi dhe të pandehurve të tjerë në lidhje me dosjen Partizani.

Pak ditë më parë, Prokuroria e Posaçme (SPAK) mbylli hetimet për dosjen voluminoze dhe e dërgoi për gjykim. Mësohet se Flojera Davidhi është gjyqtarja, e cila u caktua nga shorti për të marrë në shqyrtim dosjen e SPAK për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

Kujtojmë se kreu i PD, Sali Berisha ndodhet në masën arrest shtëpie që prej dhjetorit të vitit 2023, i akuzuar për korrupsion pasiv. Ndërkohë ndaj dhëndrit të tij, rëndojnë dy akuza; pastrim parash dhe korrupsion aktiv.

Akuzat ndaj 5 të pandehurve te dosjes Partizani:

Sali Berisha është i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

Jamarbër Malltezi, i akuzuar për kryerjen e veprave “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;

Fatmir Bektashi, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe “Pastrimi të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;

Xhimi Begeja, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;

Andia Pustina, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;