Studimi i BIRN: Mungesa e burimeve njerëzore dhe filtrave të fortë editorialë, sjellin narrativat kundër NATO-s dhe BE-së në median shqiptare

Një studim i ri nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative (BIRN) ka zbuluar se, pavarësisht qasjes pro-perëndimore, narrativat kundër NATO-s dhe BE-së kanë gjetur hapësirë edhe në median shqiptare gjatë viteve të fundit, pas agresionit rus në Ukrainë.

Narrativat dezinformuese të përhapura në Shqipëri janë të ngjashme ose identike me ato të përhapura nga mediat shtetërore ruse dhe platformat sociale, të cilat më pas amplifikohen nga mediat tradicionale.

Deziformimi përmes narrativave që shënjestrojnë NATO-n dhe Bashkimin Evropian është një strategji e përdorur nga aktorë të ndryshëm për të manipuluar opinionin publik dhe për të minuar besimin tek institucionet demokratike si Aleanca e Atlantikut të Veriut dhe Bashkimi Evropian.

Studimi i BIRN-it, me titullin “Shpërndarja e narrativave dezinformuese kundër NATO-s dhe BE-së nga aktorë kundërshtarë në median shqiptare,” synon të hedhë dritë mbi përhapjen e këtyre narrativave në median shqiptare, cilët janë aktorët që i promovojnë dhe çfarë faktorësh ndihmojnë depërtimin e tyre.

Për këtë studim, BIRN monitoroi 193 mijë postime nga 36 media shqiptare gjatë një periudhe njëvjeçare (maj 2023 – maj 2024), duke përdorur aplikacionin ‘SentiOne’ për të identifikuar artikujt që përmbanin narrativa anti-NATO dhe anti-BE.

Mes narrativave dezinformuese mbizotërojnë ato që e portretizojnë Bashkimin Evropian dhe NATO-n si “ekspansionistë”, me politika të dëmshme në kurriz të Rusisë dhe vendeve të tjera “shërbëtore” të SHBA-së dhe zhvatëse, shkatërruese të vlerave tradicionale, shkaktare të luftërave dhe shtypëse të popujve apo si rrezik për lirinë e medias (për shkak të mbylljes së mediave pro-ruse).

-Narrativat që lidhen me pakicat si refugjatët, komuniteti LGBTQ dhe grupe të tjera vulnerabël – për të cilat BE-ja ka vendosur kushte sa i përket respektimit të të drejtave – janë një element tipik i dezinformimit që vjen nga Kremlini, i cili i targeton ato si “kërcënuese të vlerave tradicionale” dhe promovuese të degjenerimit të moralit dhe perversionit.

-Tiparet dalluese të artikujve dezinformues janë: Mungesa e emrit të autorit/gazetarit që ka shkruar artikullin; Tituj sensacionale/bombastike, shpesh të pasaktë ose pretendime të paverifikuara; Artikulli i referohet vetëm një burimi, që në shumicën e rasteve është burim shtetëror rus, politikan populist, agjenci lajmesh, zyrtar rus ose aktorë te tjerë kundërshtarë; Lajmi është i përkthyer automatikisht dhe ka gabime në koncepte ose fjalë; Narrativa të njëjta përsëriten/riciklohen dhe sillen si artikuj të rinj në periudha të ndryshme.

-Studimi vëren se këto narrativa janë marrë nga media pro-ruse ose media të tjera të huaja dhe janë publikuar “copy-paste” pa kaluar në asnjë filtër editorial në mediat shqiptare.

-Aktorët që kanë shpërndarë më shumë këto narrativa dezinformuese përfshijnë zyrtarë të lartë të qeverisë së Rusisë; në disa raste këto narrativa kanë si burim politikanë nacionalistë si Viktor Orban, Donald Trump, Aleksandër Vucic apo Recep Tayyip Erdogan.

Gjatë këtij studimi, në total, u identifikuan 77 aktorë që shpërndajnë narrativa kundër NATO-s dhe BE-së në median shqiptare. Mesatarisht, çdo aktor armiqësor ose kundërshtar, i cili ka shpërndarë narrativa kundër NATO-s dhe Bashkim Evropian është cituar në 16 shkrime të botuara në median shqiptare.

Intervistat e thelluara me përfaqësues të mediave kryesore në Shqipëri dhe ekspertë kundër dezinformimit nxorën në pah sfidat kryesore me të cilat ata përballen si: mundësi financiare ose burime njerëzore të kufizuara për të mbuluar në mënyrë të pavarur lajmet mbi krizat dhe konfliktet ndërkombëtare apo mbi institucione ndërkombëtare si NATO-ja dhe Bashkimi Evropian; mungesa e një strukture të mirëfilltë editoriale dhe mungesa e procedurave të korrigjimit të këtyre lajmeve në pjesën më të madhe të mediave, si dhe mungesa e njohurive të thelluara mbi NATO-n dhe BE-në. Si pasojë e këtyre faktorëve, media shqiptare mbështetet kryesisht në informacionet e transmetuara nga burime të huaja dhe ka më pak mundësi për raportime të pavarura ose hulumtuese mbi këto tema. Kjo e rrit rrezikun që ato të shërbejnë si kanale për përhapjen e dezinformimit.

Nga këndvështrimi i gazetarëve dhe ekspertëve të intervistuar, dezinformimi anti-NATO dhe anti-BE nuk përbën ende një kërcënim të drejtpërdrejtë për politikën apo stabilitetin në Shqipëri, por mbetet një fenomen që duhet monitoruar, në një kohë kur teknologjitë digjitale dhe rrjetet sociale po e bëjnë gjithnjë e më të lehtë shpërndarjen e lajmeve të rreme dhe narrativave nga aktorë kundërshtarë.

Ky studim nxorri në pah se një tjetër element që favorizon rritjen e dezinformimit për interesa keqdashëse të aktorëve kundërshtarë janë: niveli i ulët i lirisë së medias, niveli i lartë i korrupsionit, përqendrimi i tregut të medias në pak duar dhe tek individë të lidhur me interesa politike/shtetërore, shkelja e të drejtave dhe keqpagimi i gazetarëve. Duhet mbajtur parasysh se metodat e gjithnjë e më të sofistikuara për prodhimin dhe përhapjen e dezinformimit përmes Inteligjencës Artificiale si “deepfake” dhe “operacione informacioni” e bëjnë edhe më të depërtueshëm mjedisin e brishtë mediatik dhe audiencën në Shqipëri.

Nëpërmjet intervistave me gazetarë, redaktorë, drejtues mediash, si dhe ekspertë shqiptarë dhe të huaj kundër dezinformimit, autorët e këtij studimi kanë mbledhur një seri rekomandimesh që kanë për qëllim forcimin e luftës kundër narrativave dezinformuese dhe përçarëse të artikuluara nga aktorë të huaj kundërshtarë në median shqiptare.

1. Duhet të krijohen grupe ndërdisiplinore që përfshijnë ekspertë të fushave të ndryshme si media, teknologjia, gjeopolitika dhe shkencat sociale për të kuptuar më mirë narrativat e dezinformimit dhe ndikimin e tyre në shoqëri.

2.Organizatat e shoqërisë civile duhet të ndërgjegjësojnë qytetarët për çështjet e dezinformimit, edukimin për median dhe informacionin, si dhe sfidat që vijnë nga teknologjitë moderne si inteligjenca artificiale. Këto organizata mund të luajnë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e aftësive në dallimin e informacionit të saktë nga keqinterpretimet.

3.Edukimi për median dhe informacionin duhet të përfshihet në kurrikulat shkollore. Përveç nxënësve të rinj, duhet fokusuar edhe tek grupmoshat mbi 50 vjeç, të cilët kanë më shumë nevojë për një edukim më të thellë për të përballuar sfidat e dezinformimit në epokën digjitale.