Është ndarë nga jeta në moshën 60-vjeçare avokati Saimir Vishaj.
Ai ndodhej i shtruar në spitalin e Traumës, në gjendje të rëndë, pasi ishte rrëzuar në banesën e tij. Incidenti ishte regjistruar të dielën e kaluar, ndërsa gjendja e tij ishte kritike. Për këtë arsye, mjekët e futën në intubim.
Pavarësisht përpjekjeve të bluzave të bardha, Vishaj nuk ka mundur të mbijetojë.
Vetëm pak muaj më parë, avokati kishte bërë të ditur se kishte kaluar një sëmundje të rëndë, e cila, siç kishte treguar vetë, për pak i kishte marrë jetën.
Saimir Vishaj ishte një emër i njohur i avokatisë shqiptare, me një karrierë që nisi në vitin 1998. Prej vitit 2009, ai drejtonte Shoqatën e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë.
Gjatë karrierës së tij ka mbajtur edhe disa funksione të tjera, si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Kombëtar të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, i Komitetit të Disiplinës dhe i Komisionit të Monitorimit të Reformës në Drejtësi.