Pse Perëndimi po përballet me paqëndrueshmëri politike
Nga Wolfgang Münchau “New Statesman”
Dejvid Kameron ka premtuar se Britania e Madhe do ta mbështesë Ukrainën “për aq kohë sa do të duhet”. Por ky është një premtim që i afrohet mashtrimit, madje edhe për ata me më pak përvojë në politikë. Sepse ka gjithmonë zgjedhje apo ngjarje që ndërhyjnë në anën e gabuar të horizontit kohor që kanë ndërmend aleatët tanë.
E ardhmja në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, mund të ndjekë shumë trajektore. Njëra është një fitore e lavdishme. Por një tjetër është edhe humbja e plotë. Perëndimi mund të humbasë luftërat e tij si në Ukrainë dhe Izrael, ashtu si dhe luftën e tij ekonomike kundër Kinës.
Skenari i kolapsit nuk është vetëm një parashikim, por edhe një rezultat i besueshëm. Po si mund të ndodhë kështu? Perëndimi është shumë më i pasur se sa Kina apo Rusia. Ushtritë e tij janë më superiore. SHBA-ja është ende një lidere globale në teknologji, me shumë gjëra mbresëlënëse në zhvillim e sipër.
Ndërkaq, ne kemi sisteme politike të qëndrueshme. Atëherë si shpjegohet që këto nuk na garantojnë një epërsi të padiskutueshme? Për këtë ka disa arsye. Së pari, është shpërbërë struktura sociale e Perëndimit. Brexit dhe zgjedhja president e Donald Trumpit në SHBA, nuk ishin anomali sikurse i cilësuan avokatët liberalë të statuskuosë.
Brazili ka pasur në krye Zhair Bolsonaro. Argjentina sapo ka zgjedhur Havier Milei, ultra-libertarianin që dëshiron të shpërbëjë bankën qendrore të vendit të tij. Ndërkohë Trump është sërish një pretendent serioz për presidencën amerikane. Unë shoh kombinimin e krizave financiare, ndihmave monetare, shtrëngimit të politikave fiskale dhe globalizimin e tepruar, si arsyet kryesore të paqëndrueshmërisë politike të Perëndimit.
Së dyti, pjesa që zë Perëndimi në prodhimin ekonomik global ka rënë vazhdimisht, nga 60 për qind në vitin 1980, në rreth 40 për qind sot (sipas llogaritjeve të FMN-së, bazuar në barazinë e fuqisë blerëse midis vendeve). Dhe parashikohet të bjerë më tej. Ndërkaq ajo që nuk ka pësuar rënie është egoja jonë, dhe as pretendimi se jemi në perëndimorët që e drejtojmë ende botën.
Së treti, përdorimi i tepruar i imponimit ekonomik nga ana jonë, ka shkaktuar një kundër-reagim negativ të atyre që u kemi vendosur sanksione, por edhe nga vendet zyrtarisht të paangazhuara në ndonjë aleancë.
Ndërkohë, është një fakt që sanksionet tona nuk po funksionojnë. Produktet luksoze perëndimore mbeten gjerësisht të disponueshme në dyqanet e Moskës dhe Shën Petersburgut në Rusi. Ato mbërrijnë atje me kamionë nga vende të treta në Azinë Qendrore dhe Lindja e Mesme.
Dështim po rezulton të jetë edhe çmimi tavan i vendosur nga Perëndimi për naftën ruse. Rusia dhe blerësit e saj kanë gjetur mënyra për ta anashkaluar edhe atë. Synimi fillestar i sanksioneve, ishte ta pengonin Vladimir Putin të financonte luftën e tij kundër Ukrainës.
Por gati 2 vjet pas fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës, Rusia ka kaluar në një ekonomi lufte, dhe prodhimi i armëve të reja, mund të tejkalojë shumë shpejt sasinë e furnizimeve ushtarake të Perëndimit për Ukrainën. Dhe kjo është saktësisht e kundërta e situatës që kishin parashikuar ekspertët perëndimorë.
Pra sanksionet kanë qenë një dështim i plotë, pasojë e mendjemadhësisë dhe injorancës.
Së katërti, ne vazhdojmë që ta nënvlerësojmë sofistikimin e kundërshtarëve tanë. Kina ia doli të reagojë ndaj sanksioneve të SHBA-së për gjysmëpërçuesit me performancë të lartë, duke ndërtuar të vetat. Mua më kujtohet shumë mirë tronditja e shprehur nga zyrtarët e administratës amerikane në fund të gushtit, kur zbuluan se kompania kineze Huauei ishte në gjendje të përdorte një mikroçip të avancuar në smartfonin e fundit që ka hedhur në treg. Kris Miler, autori i librit të vitit 2022 “Lufta e çipave”, u tall me Kinën për përpjekjen e saj të dështuar për të ndërtuar një fabrikë të prodhimit të gjysmëpërçuesve. Por edhe narrativa e tij e nënvlerësoi Kinën. Kur merrni dhjetëra mijëra dollarë dhe paund nga studentët kinezë çdo vit për studimet e tyre në universitetet prestigjioze në Britaninë e Madhe dhe SHBA, mos u habitni që ata mësojnë diçka.
Vetëm në Mbretërinë e Bashkuar vitin e kaluar kishte 150.000 studentë kinezë. Sa i përket makinave elektrike, Kina tashmë ia ka kaluar Gjermaninë dhe Japoninë, duke u bërë eksportuesja më e madhe e makinave në botë. Dhe këtu unë shoh një model, që reflektohet edhe në politikë, biznes dhe botën akademike.
Udhëheqësit dhe intelektualët perëndimorë, po i nënvlerësojnë rajonet e tjera të botës për të cilat dinë shumë pak. Këto dështime grumbullohen njëra pas tjetrës. Në Ukrainë, rezultati i luftës është plotësisht i hapur. Më 18 shtator, kryeministrja italiane Xhorxhia Meloni pranoi gjatë një telefonatë të inskenuar nga 2 humoristë rusë, njëri prej të cilëve shtirrej si një politikan afrikan – se ka “lodhje nga të gjitha anët”, dhe se ajo kishte një plan për t’i dhënë fund luftës.
Putin mund ta ketë regjistruar me shumë interes atë koment. Dhe në këtë pikë, mënyra e tij më racionale e veprimit, është të vazhdojë të luftojë për aq kohë sa të jetë e mundur. Kjo pjesërisht sepse luftënxitësit janë më të sigurt në punët që bëjnë, për sa kohe që zgjasin luftërat e tyre.
Por edhe sepse duke e riformuluar qëllimin e luftës si një betejë kundër Perëndimit, nuk do të kishte kuptim që ai të kënaqej vetëm me një aneksim territori, dhe të pranonte idenë se pjesa tjetër e Ukrainës do të bëhet anëtare e NATO-s dhe BE-së.
Putin ka gjetur tek Xi Jinping i Kinës një partner të ri në betejën kundër Perëndimit, megjithëse një partner më të madh. Në këto kushte, pse duhet kërkuar paqja përpara zgjedhjeve presidenciale që pritet të mbahen në SHBA nëntorin e vitit të ardhshëm?
Nëse fiton Trump, s’ka asnjë dyshim se Rusia do të arrijë një marrëveshje më të mirë. Sidomos tani që Perëndimi po merret edhe me Izraelin, ka shumë arsye që Putini të presë.
Ndërkohë, Perëndimi i ka humbur aleatët që kishte në botën e të pa rreshtuarve me ndonjë bllok. Ish-kolonitë afrikane të Francës janë hedhur në revoltë. Nga ana tjetër BE-ja e ka humbur ndikimin që kishte në Lindjen e Mesme.
SHBA-ja e ka humbur ndikimin e saj në pjesë të Amerikës Latine. Dhe mos harroni:këto kanë qenë partneritete strategjike. Ndërkaq, Kina është bërë investitorja kryesore një në Kili. Kina dhe Rusia kanë qenë shumë aktive në Afrikë. Dhe ato që nuk do të luajnë më në “ekipin” tonë.
Teksa shkruaj këto radhë më kujtohet Norma Dezmond, protagonistja kryesore në filmin “Sunset Boulevard”, dhe një nga personazhet më delirantë që ka krijuar ndonjëherë Hollivudi. “Dikur ke qenë e madhe”- i thanë gazetarët në një rast. “Unë jam ende e madhe. Faji është i formatit të fotove që është zvogëluar!”- iu përgjigj ajo.