Zyrtarë të policisë takuan Roven Zekën në qeli? SPAK sekuestron pamjet filmike në Bllokun e Sigurisë

SPAK ka sekuestruar pamjet filmike në Bllokun e Sigurisë ku ndodhet pas hekurave shefi i Rrugores, Roven Zeka, i arrestuar pak ditë më parë për korrupsion.

Raportohet se sekuestrimi i pamjeve është bërë pas dyshimeve se Roven Zeka ka pasur kontakte me zyrtarë të policisë, të cilët e kanë vizituar në Bllokun e Sigurisë. Ndërkohë gazetarja Klodiana Lala bën me dije se është sekuestruar edhe celulari i një biznesmeni po për të njëjtën çështje.

Kujtojmë se Roven Zeka, shefi i sektorit të Aksidenteve, Sokol Novaku, si edhe Oficeri i Policisë Gjyqësore, Edison Tabaku u arrestuan më datë 19 Prill me urdhër të SPAK. Të tre akuzohen për “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.

Tabaku, Zeka dhe Novaku akuzohen se kanë kërkuar dhe marrë pagesën 2 mijë euro nga biznesmeni E. V., për të mos i arrestuar bashkëshorten që kishte shkaktuar një aksident më 16 prill.