Merr fund njëherë e mirë dilema se cili prej Gazment Bardhit apo Lulzim Bashës është kryetari zyrtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Zyra Juridike e Kuvendit ka njohur zyrtarisht Bardhin si kryetar Grupi Parlamentar, duke hedhur poshtë kërkesën e Lulzim Bashës se ishte ai kreu i këtij grupit, sipas vendimit të marrë nga mbledhja e Kuvendit Kombëtar të PD-së.
Në shkresën drejtuar Kuvendit, zyra juridike thotë se Lulzim Basha mund të marrë vendime brenda partisë, por nuk mund të prevalojë mbi rregullat e Kuvendit, pasi kreu i grupit parlamentar zgjidhet nga deputetët dhe jo nga Kryesia e partisë apo Këshilli Kombëtar.
“Lufta” mes Lulzim Bashës dhe Gazment Bardhit nisi pasi ky i fundit kundërshtoi rikthimin e Bashës në krye të Partisë Demokratike. Së bashku me një numër të konsiderueshëm deputetësh, Bardhi doli hapur kundër Bashës dhe dërgoi në Gjykatë kërkesën për anulimin e zgjedhjeve brenda PD-së, në të cilat Basha fitoi ndaj kandidatit tjetër Gjergji Hani.
Pas këtij veprimi të Bardhit, Basha mblodhi Kuvendin Kombëtar, ku miratoi edhe ndryshimet në statut. Sipas statutit të ri të PD-së, kryetari i Partisë do të ishte edhe kryetar i grupit parlamentar, pra Basha do të zëvendësonte në atë detyrë Gazment Bardhin.
Vendimi i marrë nga Basha do të njoftohej edhe në seancën e radhës plenare nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla, e cila do të lexonte shkresën ku thuhej se Lulzim Basha postin e kreut të grupit parlamentar ia kishte deleguar Flutura Açkës.
Ky njoftim do të shkaktonte debate të shumta në seancë, teksa nuk munguan akuzat e deputetëve që mbështesin Bardhin dhe Berishën jo vetëm ndaj Bashës, por edhe ndaj Nikollës, të cilën e akuzuan se po lexonte vendime anti-kushtetuese.
Përplasja Bardhi-Basha për kreun e grupit do të vijonte për ditë me radhë, teksa pavarësisht se Nikolla kishte njoftuar se Flutura Açka ishte kryetare e grupit, në mbledhjet e Konferencave të Kryetarëve ftesa i është dërguar gjithmonë Gazment Bardhit si kryetar i grupit parlamentar të PD-së.
Seanca e fundit plenare do të sillte edhe një lumë akuzash ndërmjet Bashës, Bardhit dhe Sali Berishës, pasi ky i fundit mbështet Bardhin si kryetar grupi.
Por tashmë gjithçka është zyrtarizuar dhe duket se konflikti për kreun e grupit parlamentar do të marrë fund, për shkak se përgjigja përfundimtare është dhënë nga zyra juridike e Kuvendit, ndaj Gazment Bardhi është ligjërisht kryetar i grupit parlamentar të PD-së.
