Zyrat e SPAK të tejmbushura me dosje, Altin Dumani në Komisionin Parlamentar: Ngrini kufirin minimal për dosjet e korrupsionit

Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, ka kërkuar në Komisionin e Integrimit ngritjen e kufirit minimal për dosjet e korrupsionit, pasi ky institucion është i mbingarkuar me dosje për t’u hetuar.

Sipas tij, kufiri minimal prej 50 mijë lekësh e rëndon punën e SPAK, pasi kjo Prokurori duhet të fokusohet vetëm në çështjet e korrupsionit të madh.

“Të gjithë synojmë patjetër të rrisim gjeografinë e vendeve të rajonit ku të bashkëpunojmë. Sa i takon vendeve të BE apo Britanisë kemi shumë skuadra të përbashkëta dhe synojmë të zgjerohemi me vendet nordike. Kemi bashkëpunim shumë të mirë me këto agjenci.

Sa i takon punës së SPAK, dua të sjell në vëmendje konkluzionin e reporterëve të KiE-së. Ata patën shqetësim për korrupsionin dhe vlerësuan rezultatet e SPAK. SPAK duhet të fokusohet vetëm në çështjet e korrupsionit të madh, ndaj kemi vendosur një limit. Shuma prej 50 mijë lekësh është një kufi që na ngarkon më shumë dhe besoj se prokuroritë e tjera mund të ushtrojnë ndjekjen penale për këto raste. Ne kemi pasur konkluzionin që ky kufi minimal duhet të jetë më i lartë.

SPAK gjatë 9-mujorit ka qenë e vëmendshme dhe vëmendje ka marrë identifikimi i vlerës së produktit të veprës penale me qëllim final sekuestrimin e pasurive të vendosura nga korrupsioni. Janë dhënë 4 vendime për sekuestro preventive”, u shpreh ai ndër të tjera.