Zjarri në zonën e Syrit të Kaltër në Sarandë, që ra pasditen e djeshme me përmasa të mëdha, ka vijuar edhe gjatë natës por me intensitet të ulët.
Që prej orëve të para të mëngjesit të kësaj të marte në Syrin e Kaltër po operojnë 1 avion Canadair dhe 1 helikopter.
Ndërkohë një ditë më parë u bë evakuimi i vizitorëve nga parku natyror.
Zjarri mbetet aktiv edhe prane fshatit Pecë, në perëndim të Syrit të Kaltër, ndërsa janë fikur gjatë natës vatrat në fshatrat Ninat dhe Janjar, bashkia Konispol. Kritike mbetet situata në Xath të Fushë Arrëzit, ku janë evakuuar edhe banorët.
Situata e rëndë ishte edhe në Finiq, ku prej disa ditësh flakët po kalojnë nga njëri fshat në tjetrin. Në fshatin Leshnicë e Poshtme të Finiqit u dogjën disa banesa.
Një tjetër vatër e madhe u regjistrua pasditen e djeshme në Poliçan të Beratit, ku zjarri përfshiu sipërfaqe të mëdha pyjore në zonat malore dhe po i afrohej me shpejtësi banesave.