Zjarri merr përmasa të mëdha në Pishporo por Emergjencat nuk ngrejnë dot helikopterin, Çako: S’ka plotësuar orët e shërbimit

Përkeqëzohet situata në pyllin me pisha në zonën e mbrojtur të Pishporos ku prej 5 ditësh zjarri po djeg gjithçka.

Sot vatrat e zjarrit janë aktivizuar dhe era favorizon flakët. Në terren janë rreth  60 zjarrfikës e efektivë të FA dhe 3 mjete zjarrfikëse por ata  janë tërhequr në pamundësi operimi. Për të monitoruar situatën ka zbritur dhe kreu i emergjencave civile Haki Çako.

I pyetur se përse nuk po bëhet ndërhyrje nga ajri ai u shpreh se helikopteri nuk ka filluar operimin e tij për shuarjen e zjarreve pasi gjatë gjithë verës ka qenë në operacion dhe ka një kohë remonti, i cili është i domosdoshëm dhe nuk mund të ngrihet pa plotësuar orët e shërbimit.

Mësohet se deri tani është djegur një sipërfaqe prej 500 ha pyll me pisha në zonën e mbrojtur dhe frika është se mos zjarri i afrohet zonave të banuara.

“Zjarret masive në pyje të tilla edhe në vendet me potenciale shumë herë më të fuqishme sigurisht kanë vështirësitë e veta edhe këtu ka pasur dhe ka vështirësitë e veta.

Përsa i përket operimit, ne kemi vlerësuar situatën, por për shkak të kohës në operim të helikopterit i cili ka qenë gjatë gjithë verës në operacion, ka një kohë remonti, i cili është domosdoshmëri, nuk mund të ngrihet pa plotësuar ato orë shërbimi dhe është në kushtet e shërbimit të tillë. Gjithsesi ne jemi prapë duke vlerësuar këtë situatë, nëse do të dalë e nevojshme të orientojmë dhe adresojmë mbase dhe kërkesa të tjera për mbështetje”, u shpreh drejtori i Emergjencave Civile Haki Cako.