Edhe pse Erion Veliaj kërkon që të marrë pjesë nesër në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ku do të vendoset për shkarkimin e tij, ai nuk ka bërë kërkesë në SPAK për leje të posaçme.
SPAK ka reaguar pas interesimit të mediave, për të mësuar nëse kryebashkiaku ka kërkuar ose jo për të qenë i pranishëm në mbledhjen që ku do të shqyrtohet dhe votohet shkarkimi i tij nga detyra.
Por Veliaj nuk ka paraqitur asnjë kërkesë, siç njofton SPAK.
“Në përgjigje të kërkesës suaj të mbërritur më datë 22.9.2025, ju informojmë se deri tani, në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk është paraqitur asnjë kërkesë e tillë”, thuhet në përgjigjen e SPAK.
Ndërkohë më herët, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve konfirmoi gjithashtu se nuk është dorëzuar asnjë kërkesë për leje të veçantë, që do t’i mundësonte Veliajt të marrë pjesë në mbledhjen e nesërme ku do të vendoset për fatin e tij.
Veliaj reagoi sot duke thënë se ende nuk është njoftuar zyrtarisht për mbledhjen që do të zhvillohet nesër në orën 16:00, por e ka mësuar nga burime mediatike.
Veliaj thotë se një ditë para mbledhjes së Këshillit, nuk i di ende arsyet e shkarkimit si kryebashkiak.