Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) ka publikuar raportin në lidhje me zgjedhjet e pjesshme të Himarës, që u zhvilluan në datë 4 gusht ndërsa u fituan nga kandidati socialist Vangjel Tavo, me një diferencë prej më shumë se 1400 vota se rivali i tij Petro Gjikuria.
Raporti evidenton disa shkelje që janë bërë, duke nisur që nga data e zgjedhjeve e dekretuar në shkelje të ligjit nga Presidenti Bajram Begaj dhe deri te shfrytëzimi i postit të Tavos si Prefekt i Vlorës, si dhe mbështetja që iu dha nga qeveria, përfshirë këtu edhe zv.kryeministren Belinda Balluku.
Në raport theksohet se Presidenti Begaj caktoi datën e zgjedhjeve në shkelje të ligjit përpara përfundimit të afatit ligjor për ankimim si dhe është e papranueshme që nuk u konsultua me partitë politike, si një praktikë e konsoliduar, e cila rrit legjitimitetin dhe besueshmërinë e palëve dhe të qytetarëve në proces
“KRIIK gjykon se vendimi i Presidentit të Republikës për të caktuar datën e zgjedhjeve përpara përfundimit të afatit ligjor për ankimim është në shkelje të ligjit. Gjithashtu, caktimi i datës së zgjedhjeve pa u konsultuar paraprakisht me partitë politike konsiderohet i papranueshëm, pasi pavarësisht se nuk përbën një detyrim të mirëfilltë ligjor, është një praktikë tanimë e konsoliduar, në linjë me balancimin politik të ndërtimit dhe administrimit të procesit zgjedhor, e cila rrit legjitimitetin dhe besueshmërinë e palëve dhe të qytetarëve në proces”.
Një tjetër shkelje që është bërë në këtë proces zgjedhor lidhet edhe me listat e zgjedhësve, të cilat në kundërshtim me ligjin nuk u afishuan as në ambientet me akses të lirë në Bashki dhe as në ambientet e qendrave të votimit, ashtu siç duhet të ndodhte, ku çdo qytetar do të kishte mundësi që të shikonte emrin e tij.
“Listat e zgjedhësve nuk u afishuan as në ambientet me akses të lirë për publikun në Bashki dhe as në ambientet e Qendrave të Votimit, në kundërshtim me ligjin. Ditën e zgjedhjeve, listat e zgjedhësve ishin të afishuara në disa qendra votimi, por jo në të gjitha”.
Por duket se nuk kanë fund shkeljet në këto zgjedhje, që ndryshe nga një vit më parë, i dhanë fitoren Partisë Socialiste.
Dhe kjo ka të bëjë me ndryshimin e vendbanimit të zgjedhësve. Në vetëm katër ditë, mes shpalljes së datës së zgjedhjeve dhe ditës kur është gjeneruar lista e zgjedhësve , janë regjistruar 30% e transferimeve totale. Sipas KRIIK, ky është një tregues i fortë se këto ndryshime janë bërë me qëllim për të ndikuar rezultatin e zgjedhjeve.
“Referuar të dhënave të transferimeve, sipas dokumentit që DPGJC i ka dërguar KQZ-së, ajo çka bie në sy është se, ndërkohë që shumica e ndryshimeve të gjendjes civile janë me numra të vegjël dhe të shpërndarë në një kohë thuajse një vjeçare, vetëm në katër ditë pune, mes shpalljes së datës së zgjedhjeve (5 korrik) dhe ditës kur është gjeneruar lista e zgjedhësve (10 korrik), janë regjistruar 30% e transferimeve totale; 93 zgjedhës nga 311 në total që kanë ndryshuar vendbanimin pas 14 majit 2023 . Kjo shifër e panatyrshme, menjëhere pas shpalljes së datës së zgjedhjeve, është një tregues i fortë për një lëvizje të koordinuar të zgjedhësve, me qëllim ndikimin në rezultatin e zgjedhjeve”.
Ndërkohë Vangjel Tavo, i cili u shpall fitues përballë kandidatit te koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Petro Gjikuria, duket se ka shfrytëzuar postin e tij si prefekt i Vlorës. Rikujtojmë se Tavo u caktua në këtë post pak muaj para zgjedhjeve ndërsa mediat greke kishin shkruar prej kohësh se ai ishte i zgjedhuri i Ramës për zgjedhjet në Bashkinë e Himarës.
KRIIK thekson se Vangjel Tavo e përdori postin e tij si prefekt për avantazh elektoral ndërsa përfitoi po ashtu edhe nga mbështetja e shumë zyrtarëve, përfshirë këtu edhe zv.kryeministren Belinda Balluku.
“Fushata zgjedhore nisi përpara afatit të përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për të dy kandidatët. Mazhoranca në pushtet përdori burimet shtetërore dhe të tjera privilegje që vijnë nga të qenit në pushtet për avantazh elektoral edhe përgjatë kësaj fushate. Në mënyrë të veçantë, kandidati i Partisë Socialiste, z. Vangjel Tavo, i cili ishte shpallur prej kohësh në mënyrë jo formale se do të ishte kandidat i kësaj partie për Kryetar të Bashkisë Himarë 54 u emërua Prefekt i Qarkut Vlorë në mars 2024. Në këtë mënyrë, ndërkohë që zhvillonte takime elektorale të parakohshme si kandidat për kryetar bashkie, z. Tavo ishte edhe Prefekt i Qarkut të Vlorës. Përgjatë fushatës zgjedhore, kandidati i Partisë Socialiste përfitoi gjithashtu edhe nga mbështetja e zyrtarëve të ndryshëm publikë, përfshirë këtu edhe zv. Kryeministren, znj. Belinda Balluku , Ministren e Turizmit, znj. Mirela Kumbaro dhe Kryetarin e Bashkisë Vlorë, z. Ermal Dredha . KRIIK gjykon se Kandidati i Partisë Socialiste, z. Tavo, e përdori postin e tij zyrtar si Prefekt i Qarkut Vlorë dhe mbështetjen institucionale të maxhorancës në pushtet për avantazh elektoral, duke deformuar ndjeshëm barazinë në garën elektorale.”
Edhe në këto zgjedhje, sikurse edhe në zgjedhjet e mëparshme, vërehet si tejet shqetësuese prania e personave të paautorizuar në afërsi të qendrave të votimit.
Ndërsa në zgjedhjet të cilat u zhvilluan në 14 maj të vitit 2023, ku Fredi Beleri edhe pse kishte dy ditë që ishte arrestuar arriti të fitonte me një diferencë të ngushtë prej 19 votash nga rivali i tij, Jorgo Goro, në zgjedhjet që u mbajtën të dielën e 4 gushtit pati një diferencë të madhe mes dy kandidatëve, ku socialisti Tavo doli fitues.
Ky i fundit në një deklaratë pas përfundimit të numërimit të votave, i ofroi rivalit të tij, Petro Gjikurisë postin e nënkryetarit.
Por, kandidati i opozitës Petro Gjikuria nuk pranoi humbjen dhe në një reagim pasditen e 5 gushtit tha se rezultati i zgjedhjeve erdhi si pasojë e transformimit të listës së zgjedhësve.
Kujtojmë se zgjedhjet në Himarë u mbajtën pasi kryebashkiaku i zgjedhur Fredi Beleri, u dënua nga GJKKO me 2 vite burg për korrupsion zgjedhor.