Mbi 70 mijë emigrantë kanë votuar deri tani. Kështu u shpreh sot kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, i cili në një konferencë për mediat tha se janë mbi 70 mijë emigrantë që kanë kthyer zarfet me fletët e votimit për zgjedhjet e 11 Majit.
Por Celibashi tha se janë ende 30 mijë fletë votimi që nuk janë shpërndarë ende. Për Celibashin kjo nuk përbën problem pasi ka ende kohë. Kryekomisioneri tha se ka edhe dy javë që emigrantët të marrin fletën e votimit. Ajo shtoi se deri tani procesi ka shkuar shumë mirë.
Kujtojmë se Diaspora voton për herë të parë në zgjedhje ndërsa janë rreth 245 mijë shqiptarë në 85 vende të botës që janë regjistruar për të votuar më 11 Maj.
“Janë mbi 70 mijë votues që e kanë kthyer fletën e votimit nga mbi 245 mijë të regjistruar. Presim ardhjen e fletëve të tjera të votimit. Presim që kompania postare të shpërndajë të gjitha fletët e votimit, zarfet. Kanë mbetur edhe 30 mijë fletë votimi e pak për t’u shpërndarë, ka gati edhe 2 javë kohë dhe presim që të shpërndahen”, tha Celibashi.
Ndërkohë ai u pyet edhe në lidhje me problematikat sa i takon votimit elektronik. Celibashi tha se problematikat e 2023 kishin të bënin me aspektin organizativ dhe jo me pajisjet dhe tha se në zgjedhjet e 11 Majit nuk do të ketë probleme si të dy viteve më parë.
“Problematikat e 2023 lidhen me aspektin organizativ nga ana e jonë si KQZ. Për shkak të disa gabimeve dhe nuk kanë të bëjnë asesi me vetë pajisjen në vetvete. I kemi adresuar ata probleme dhe jemi duke punuar me specialistë të fushës dhe mendoj që në zgjedhjet e 11 Majit nuk do të kemi probleme si ato të 2023”, shtoi Celibashi.