Zv.kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Angela Rayner, jep dorëheqjen pas skandalit me taksat

Zëvendëskryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Angela Rayner, ka dhënë dorëheqjen pas akuzave se nuk ka paguar shumën e duhur të taksës së pronës për një apartament në jug të Anglisë.

Në një letër drejtuar kryeministrit Keir Starmer, Rayner njoftoi dorëheqjen nga të gjitha funksionet, si zëvendëskryeministre, ministre e banesave dhe zëvendëslidere e Partisë Laburiste. Ajo tha se presioni mediatik i ka bërë të pamundur vijimin në detyrë dhe u shpreh e zhgënjyer për ndikimin që situata ka pasur ndaj familjes së saj.

Skandali shpërtheu pasi doli në dritë se Rayner kishte paguar vetëm 30,000 paund taksë për një apartament në Hove, në vend të shumës së duhur që arrinte deri në 70,000 paund. Ajo pretendon se ka vepruar bazuar në këshilla të gabuara ligjore dhe se nuk kishte qëllim të shmangte detyrimet fiskale.

Kjo dorëheqje vjen në një moment kritik për Partinë Laburiste, e cila ndonëse fitoi zgjedhjet në korrik 2024, tani po përballet me rritjen e ndjeshme të partisë Reform UK në sondazhe, e cila po fiton terren me retorikën e saj anti-emigracion.

Angela Rayner shihej si një nga figurat më autentike dhe popullore brenda partisë. Me prejardhje punëtore dhe një stil të drejtpërdrejtë, ajo kishte fituar simpati të gjerë në radhët e elektoratit të majtë.

Në letrën e saj, Rayner shkruan: “Për një nënë adoleshente nga një lagje e varfër në Stockport, të shërbeja në nivelin më të lartë të qeverisë ka qenë nderi i jetës sime.”

Kryeministri Starmer u shpreh  se ishte shumë i trishtuar për dorëheqjen e saj, duke e cilësuar si “kolege të besueshme dhe mike të vërtetë”.