Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Rusinë se po përpiqet të “blejë kohë” për të vazhduar luftën në Ukrainë, vetëm një ditë pasi Donald Trump deklaroi se kishte pasur përparim drejt një armëpushimi gjatë një bisede telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin.
“Nëse Rusia vazhdon të paraqesë kushte jorealiste dhe pengon përparimin, atëherë duhet të ketë pasoja të ashpra,” shkroi Zelensky në rrjetet sociale, duke shtuar se Kievi është i gatshëm për negociata.
Pas bisedave të ndara me Zelensky dhe Putinin të hënën, Trump deklaroi se bisedimet për armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës do të nisnin “menjëherë”. Nga ana e tij, Putin tha se ishte i gatshëm të punonte për një “memorandum për një marrëveshje të mundshme paqeje”, por nuk pranoi të komentonte thirrjet për një pauzë 30-ditore të luftimeve.
Kremlini minimizoi zërat se negociatat janë pranë, duke cituar zëdhënësin Dmitry Peskov, i cili tha se “nuk ka afate dhe nuk mund të ketë”.
Ndërkohë, Zelensky nisi një raund të ri diplomatik, duke folur me aleatë perëndimorë në përpjekje për të forcuar mbështetjen. Pas një bisede me presidentin e Finlandës, Zelensky tha se Ukraina po punon me partnerët ndërkombëtarë për të rritur presionin ndaj Moskës, “me qëllim që Rusia të detyrohet të ndryshojë sjellje”.
Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar njoftuan sanksione të reja ndaj Rusisë. BE shpalli bllokimin e afro 200 cisternave nafte të ashtuquajturës “flotë hije” ruse dhe paralajmëroi për një “reagim më të ashpër” nëse Moska nuk bie dakord për armëpushim. Mbretëria e Bashkuar sanksionoi edhe 18 cisterna të tjera, si pjesë e paketës që synon furnizuesit ushtarakë rusë, eksportet e energjisë dhe institucionet financiare.
Këto zhvillime vijnë pas një sulmi rekord me dronë mbi Ukrainën gjatë fundjavës, që zyrtarët ukrainas e përshkruan si më të madhin që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë në shkurt 2022.
Të hënën, Trump sinjalizoi se nuk do të mbështesë sanksione të reja ndaj Rusisë, duke thënë se ato mund të dëmtojnë përparimin e bërë së fundmi.
Ndërkohë, luftimet e ashpra vazhduan përgjatë vijës së frontit, me Ukrainën që raportoi 177 përplasje dhe mbi 1,000 humbje në radhët e forcave ruse brenda 24 orëve.
Para një takimi të ministrave të Mbrojtjes të BE-së të martën, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, deklaroi se sulmet e vazhdueshme të Rusisë “flasin më shumë se fjalët që kemi dëgjuar për kaq gjatë”.
“Putini po përpiqet qartë të fitojë kohë. Për fat të keq, duhet të themi se ai nuk është vërtet i interesuar për paqe,” tha Pistorius.
Putin ka refuzuar deri tani një propozim të përbashkët SHBA-Ukrainë për armëpushim 30-ditor dhe javën e kaluar hodhi poshtë ftesën e Zelenskyt për një takim në Stamboll. Trump kishte ofruar të merrte pjesë në bisedime, nëse Putini do të merrte pjesë gjithashtu, por ky i fundit e refuzoi ftesën.
Kremlini ka shpallur më parë armëpushime të përkohshme, përfshirë një prej 8-11 majit, në përputhje me festimet e fitores së Luftës së Dytë Botërore. Ukraina i refuzoi ato, duke theksuar mungesën e besimit dhe duke kërkuar një ndalim të menjëhershëm e të qëndrueshëm të luftimeve.
Një tjetër armëpushim 30-orësh gjatë Pashkëve solli një ndalesë të shkurtër të luftimeve, edhe pse të dyja palët u akuzuan për qindra shkelje të marrëveshjes.