Zbulohet parcela me kanabis në Vlorë, arrestohen 3 persona, pezullohen disa efektivë

Një parcelë me kanabis është zbuluar ditën e sotme në fshatin Bishan të Vlorës, ku janë sekuestruar 4930 bimë narkotike kanabis.

Në afërsi të parcelës, është zbuluar gjithashtu një magazinë e përshtatur për tharjen e bimëve narkotike, ndërsa në pranga ranë 3 autorët e dyshuar, shtetasit Skënder Llanaj, Danielo Llanaj dhe Bujar Hoxhaj.

Sakaq, janë proceduar penalisht kryeplaku i fshatit Bishan dhe 3 punonjës policie të Komisariatit të Policisë Vlorë.

“Gjatë operacionit, në fshatin Bishan, shërbimet e Policisë kanë konstatuar të kultivuara mes një parcele me misër, në pronësi të shtetasit D. M., 4930 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.

Nga kontrolli i territorit, në afërsi të kësaj parcele është zbuluar një magazinë e përshtatur për tharjen e bimëve narkotike dhe përgatitjen e lëndës narkotike, në pronësi të shtetasit S. Ll.

Në këtë magazinë janë gjetur 198 kg lëndë narkotike në proces tharjeje, 2 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu dhe një sasi fishekësh luftarak, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasit:

– S. Ll., 40 vjeç dhe D. Ll., 18 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Bishan.

– D. M., 69 vjeç, banues në fshatin Bishan.

Po nga këto struktura u referuan materialet në Prokurori, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit:

-B. H., 61 vjeç, me detyrë kryetar i fshatit Bishan.

Si dhe për 3 punonjës policie, të cilët edhe janë pezulluar nga detyra, konkretisht:

– Nënkomisar K. P., me detyrë shef i Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Vlorë;

– Nënkomisar F. M., me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Vlorë;

– Inspektor M. A., me detyrë ndihmësspecialist (SPZ) në Komisariatin e Policisë Vlorë”,- njofton Policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.