Kryebashkiaku në detyrë i Hgimarës, Jorgo Goro, është paraqitur paraditen e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Ai ka qëndruar për rreth 3 orë dhe u ëhstë përgjigjur pyetjeve të prokurorëve pas kallëzimit që kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë, Fredi Beleri, ka bërë ndaj tij. Pas daljes nga SPAK, për mediat ai ka thënë se ishte thirrur për t’u marrë pyetje si çdo qytetar i thjeshtë.
Media Ditari ka zbardhur kallëzimin e Belerit, në të cilin përfshihen edhe ish-ministrja Olta Xhaçka dhe bashkëshorti i saj Artan Gaçi.
Ata akuzohen nga Beleri se kanë bashkëpunuar për të falsifikuar dokumentet e tjetërsimit të një toke bujqësorë me sipërfaqe 5512 në truall. Në objekt-padi Beleri thotë se nëpërmjet një Akti të Marrjes së Tokës në Pronësi, kanë rrjedhur përfitime të padrejta pasurore për trashëgimtarin e tokës dhe personave të tretë.
“Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro ka konfirmuar duke nënshkruar planvendosjen e ngastrës 36/36/1 pa marrë fare parasysh konfigurimin e saj në hartë në raport me kufijtë e shënuar në AMTP dhe pa e verifikuar në raport me ngastrën që i përputhej kësaj pasurie në hartën kadastrale 1:5000 mbi bazën e të cilës është kryer ndarja e tokës bujqësore në kooperativën Gjilek-Dhërmi. Të gjitha veprimet e kundërligjshme të kryera nga Kryetari i Bashkisë Himarë, Këshilli i Qarkut Vlorë dhe ish-punonjësit e ZVRPP Vlore në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë kryer për shkak se kjo pasuri është tjetërsuar në favor të të tretëve dhe mbi këtë pronë, pasi është blerë, është marrë statusi i investitorit strategjik nga shtetasi Artan Gaçi, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i Ministres se Mbrojtjes në atë kohë, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme.
Trashëgimtarët e shtetasit Foto Mëhilli, duke tjetërsuar një pasuri që rrjedh nga një vepër penale si ajo e falsifikimit, kanë kryer edhe veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim me investitorët strategjikë, shtetasin Artan Gaçi etj. Po ashtu edhe shtetasja Olta Xhaçka, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme, me mosveprimet e saj, duke mosdeklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitorët strategjikë si dhe ligjin për konfliktin e interesit nuk i takojnë. Kjo shtetase nëpërmjet investimit strategjik në një pronë të falsifikuar, ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrimet tatimore, etj.”- thuhet në padi.
Beleri e akuzon Jorgo Goron se ka falsifikuar dokumentet, ka shpërdoruar detyrën, akuzë kjo e fundit që e ka ngritur edhe për ish-Minstren e Mbrojtjes, Xhaçka. Për bashkëshortin e kësaj të fundit, së bashku me trashëgimtarin e tokës, Beleri krahas falsifikimit të dokumenteve, i akuzon edhe për veprën penale të Pastrimit të Parave”.