Detaje të reja janë mësuar në lidhje me operacionin e policisë greke pas zbardhjes së komunikimeve në platformat “Sky ECC” dhe “Encrochat”.
Në operacionin ku morën pjesë dhe forcat speciale greke EKAM, 24 persona janë arrestuar ndërsa 7 të tjerë janë shpallur në kërkim. Në dosjen hetimore janë të përfshirë 15 shtetas shqiptarë, njëri prej tyre Aleksandër Sadikaj, i vrarë në një atentat, disa shtetas grekë dhe shtetas nga Rusia, Moldavia, Gjeorgjia dhe Kina, të cilët ishin pjesë e 4 grupeve kriminale.
Sipas policisë greke, një grup kriminal drejtohej nga shqiptarët Denis Grabocka dhe Andon Salati, një tjetër drejtohej nga Aleksandër Sadikaj i vrarë në Shqipëri në vitin 2022, një tjetër nga Aleksandro Pando ndërsa grupi i katërt nga greku Dhionisio Siountri.
Pjesë e grupit të Sadikajt ishin Viktorio Qytyku, Elson Hajredini dhe një persin i tretë, i paidentifikuar ende.
Sipas dosjes hetimore, bazuar në komunikimet në platformat “Sky ECC” dhe “Encrochat”, në periudhën 30.05.2020 – 30.06.2020, Aleksandër Sadikaj ka trafikuar në dy raste një sasi totale prej 295 kg marijuanë. Nga shitja e drogës mendohet që janë fituar rreth 450.000 euro.
Emri i Aleksandër Sadikaj del edhe në tentativën për vrasjen e Ari Papës, i cili vdiq pas një atentati të mirëorganizuar pasditen e 30 majit 2021 teksa pinte kafe në një lokal në “Sepolia” në Athinë.
Para se të vritej, ai i kishte shpëtuar 3 atentateve në 20 korrik 2007, 26 maj 2019 dhe 26 shkurt 2021. Përmes zbulimit të mesazheve në aplikacionet “Sky Ecc” dhe “Encrochat”, policia greke zbuloi se pas atentatit të 26 shkurtit 2021 në “Stacionin e Larisës” në Athinë, fshihet pikërisht Aleksandër Sadikaj, i ekzekutuar me eksploziv në automjetin e tij në vitin 2022 në Tiranë.
Motivi i tentativës së vrasjes ndaj tij ishte hakmarrja për ngjarjen e datës 14.12.2020 ndaj Viljan Boraj, i njohur si “Giannakis”, e ndodhur në zonën e Patisias në Athinë, nga e cila mbeti i plagosur më armë kushëriri i Aleksandër Sadikaj, 16-vjeçari Rubin Kalemi, pasagjer në mjetin në të cilin udhëtonte Viljan Boraj.
Nga dosja hetimore zbulohet gjithashtu se anëtarët e kësaj organizate, kur kuptuan se “Sky ECC” dhe “Encrochat” nuk ishin më të besueshme, në komunikime deklaronin se do të përdornin platforma të tjera të kriptuara si “ChatMail”, “Cipher” ose “Ciphr” dhe “CryptonX”.