“Zbërthehet” i penduari i drejtësisë: Kam financuar ekzekutimin e Dorjan Shkozës! Jam pjesëmarrës në vrasjen e Bujar Çelës dhe 4 të tjerëve

Erion Alibej, një nga të penduarit e drejtësisë në dosjen “Plumbi i Artë”, tha sot në sallën e gjyqit se aplikacionet EncroChat dhe Sky nuk përdoren vetëm për ngjarje kriminale, por edhe nga biznesmenë apo ndonjë politikan. Megjithatë ai nuk përmendi emrin e ndonjë politikani në seancën që u mbajt në GJKKO.

“Nuk di emër politikani, por kam dëgjuar”, -mësohet të ketë thënë Alibej.

Ndërkohë rrëfeu se armët që përdoren në vrasjet e porositura prej tij i merrte tek një hoxhë. Ky i fundit, tha i penduari i drejtësisë, mbante pseudonimin ‘Noku” në EnchroChat.

Sipas Alibejt, çmimi i armëve ka varuar nga 1,000 deri në 3,500 euro.”

“Armët për krimin i kam siguruar unë. Kam pasur një kontakt me dikë që njihej si hoxhë në zonën e Freskut në Tiranë. Kontaktin ia dhashë dikujt tjetër. Kam folur në ‘EncroChat’ dhe ‘Sky’ me të. Nuk e di emrin e tij. Më dërgonte edhe foto të armëve. Hoxhën e kam kontaktuar disa herë dhe kam marrë disa herë armë prej tij. Në ‘Encro’ hoxha mbante pseudonimin ‘Noku’”, tha Alibej.

Alibej ka pranuar se ka qenë financues i vrasjes së Dorjan Shkozës, pjesëmarrës në vrasjen e Besian dhe Viktor Haxhisë, në vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe të Regis Runajt. Ndër të tjera Erjon Alibej pranon se ka marrë pjesë dhe në vrasjen e Bujar Çelës.

“Jam financues në vrasjen e Dorjan Shkozës. Jam pjesëmarrës në vrasjen e Besian dhe Viktor Haxhia. Jam pjesëmarrës në vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt. Dhe në vrasjen e Bujar Çelës. Kam qenë i dënuar më parë për trafik droge, në 2010-2011. Për këtë çështje jam arrestuar dhe kam dal nga burgu në 2013. Kemi qenë një grup i dënuar për këtë çështje, mes tyre dhe vëllai im i ndjerë. Vrasjen e Dorjan Shkozës e kërkova sepse me çdo kusht doja Talo Çelën“- shtoi Alibej.